Zgjedhjet lokale tregua shumëçka në Prizren për mënyrën si qytetarët i qasen politikës dhe kandidimit lokal, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Befasia më e madhe ishte rezultati i LDK-së, që mori vetëm 10.5 %, ( forca e tretë ) ndonëse pas ardhjes së Driton Selmanajt u pa një ringjallje e aktivitetit opozitar, që për një kohë kishte munguar. Kjo u reflektua edhe në disa fushata kreative si ajo e “ShaqaFarm” apo “Totaj Family” që synonin të sfidonin qeverisjen aktuale në Prizren.
LDK po ashtu ka dorëzuar në Prokurorinë e Prizrenit tre Kallëzime Penale ndaj drejtorëve të Totajt.

Nga ajo që u prezantua gjatë fushatës, Selmanaj ofroi një program të përgatitur mirë elektoral, me pika konkrete zhvillimore. Megjithatë, kjo ishte herë e dytë që një program serioz nuk shpërblehet nga vota. Një rast i ngjashëm ishte ai i kandidatit të AAK-së, Lulzim Kabashi, i cili ishte vlerësuar nga analistët për programin dhe paraqitjet e tij politike, por që gjithashtu nuk arriti të marrë mbështetjen e pritshme në zgjedhje.
Këto dy raste mund të jenë tregues të një prirjeje të rrezikshme në kulturën tonë politike: mosvlerësimit të programit dhe ideve, përballë ndikimit të rrjeteve familjare, lidhjeve shoqërore dhe patronazhit politik. Në vend që të votohet për përmbajtjen, shpesh votohet për afërsinë personale, lojalitetin ndaj kryetarit apo manovrimet klienteliste që ndodhin prapa skenës, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në këtë fushatë pati edhe befasi në listat fituese, me disa kandidatë që morën vota në mënyrë të papritur, ndonëse perceptimi publik për ta nuk ishte i tillë. Kjo ka ngritur zëra kritikë se votat janë ndikuar edhe nga praktika të padrejta apo jodinjitoze.

Në fund, zgjedhjet e fundit konfirmuan një realitet të hidhur: në shumë raste, programi nuk i fiton zgjedhjet. Fiton ai që ka rrjetin më të fortë, manovrimin ose mbështetjen prapa perdes. Dhe derisa kjo të ndryshojë, politika e ideve do të mbetet në hije të politikës së interesave./Gazeta e Prizrenit

Foto: Aksioni i LDK-së kundër punësimeve nga Shaqir Totaj.
