27-07-2024

A po forcohet LDK në Prizren? ( foto )

Aktivitetet e fundit e sidomos tubimi masiv i mbajtur në fillim të javës, për kremtimin e 34 vjetorit të themelimit të degës, që për dallim nga herët tjera ishte madhështor, kanë dhënë shenja për “ringjalljen” e LDK-së në Prizren.

Ky subjekt që përbën forcën e tretë politike, pas Vetëvendosjes e PDK-së, kohën e fundit ka treguar sinjale drejt një opozitarizmi serioz për ta sfiduar qeverisjen lokale të Shaqir Totajt, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Pak muaj pas zgjedhjes së krye të të degës,  Driton Selmanaj, duket se ka sjellë një frymë të re përbrenda strukturës, për ta lëvizur para “lokomotivën e fjetur”.

Për dallim nga herët tjera, kur LDK i mbante tubimet në sallën gjysmë të zbrazur të Shtëpisë së Kulturës apo edhe në mjedise të ngushta të ndonjë restoranti, tubimi për datëlindjen e 34-të u mbajt në sallën e madhe të restorantit ‘Oferta’. Organizimi i një tubimi të tillë ishte sfidues, meqenëse bëhej në mbrëmje, dhe pas vaktit të Iftarit në Ramazan, kur zakonisht qytetarët preferojnë të qëndrojnë në shtëpi.

May be an image of crowd

Pos personaliteteve dhe veprimtarëve të hershëm e të tashëm të këtij subjekti, të pranishëm ishin edhe shumë të rinj, të cilët morën libreza partiake.

Mund të jetë një imazh i 8 persona dhe turmë

Parë nga veprimet e fundit, duket se dy gjëra po e “ngjallin” LDK-në. Në njërën anë strategjia e Selmanajt, i cili për dallim nga kolegët e tij të dalë nga strukturat partiake, ai është produkt nga prezantimet prej analisti në emisione debatuese televizive, duke përkrahur alternativa, e dhënë ide pro LDK-së.

Në anën tjetër, në forcimin e këtij subjekti duket se po ndikon edhe kryetari Shaqir Totaj, me zhgënjimin e veprimtarëve të shumtë, të cilët e kanë ndihmuar fitoren e tij.

Selmanaj, njëherësh është deputet në Parlamentin e Kosovës e zyrtar që ka vizituar edhe “Shtëpinë e Bardhë” në Amerikë, dhe konsiderohet si njohës i rrethanave politike.

Pra, LDK nuk ajo e mëparshmja, që “shfaqej në skenë” vetëm pak para zgjedhjeve, duke marrë megjithatë një sasi votash, përkundër pasivitetit.

Së fundi veprimet e saj ndaj pushtetit janë konkrete, meqenëse ka dorëzuar në Prokurorinë e Prizrenit tre Kallëzime Penale ndaj drejtorëve të Totajt, qeverisja e të cilit prej dy vitesh nuk ishte sfiduar seriozisht, pavarësisht numrit më të madh të kuvendarëve nga opozita (VV, LDK). Në njërin rast, atë të Drejtorisë së Shëndetësisë, kallëzimin e hedhur e ankimoi në Prokurorinë e Apelit, ku u pranua rasti.

Dega e LDK-së, ka bërë kritika të ashpra ndaj pushtetit të PDK-së edhe përmes aksioneve simbolike, sikur ai para një viti “kundër shitjes së vendeve të punës deri në 7 mijë euro” me moton “Shaqa Farm”, mbajtur para selisë së KK-së, e konference shtypi, ku janë adresuar shkeljet e qeverisjes Totaj,

Pas lajmit për punësimin në arsim, të nuses së djalit të kryetarit Totaj, para dy muaje LDK organizoi aksionin “Shtëpia e punësimeve – Totaj family”, kundër familjarizmit dhe korrupsionit në Komunën e Prizrenit.

Veprimet e fundit të saj, ndikuan në dështimin e dy mbledhjeve radhazi të Kuvendit Komunal.

LDK e humbi pushtetin e mbajtur për tetë vjet, në krye me Eqrem Kryeziun, në fund të vitit 2007. Prej atëherë, partia më e vjetër politike shqiptare e Kosovës, jo vetëm që nuk arriti ta “tregoj veten” në Prizren, por për më keq është vlerësuar si një patericë e pushteteve.  Në këtë kontekst sa më shumë “forcoheshin e përfitonin” individë të LDK-së, aq më shumë binte subjekti, duke humbur edhe bastionet tradicionale.

LDK aktualisht i ka 7 anëtarë nga gjithsej 41 sosh sa ka në Kuvendin Komunal (KK), duke përbërë një faktor të rëndësishëm politik në Prizren, apo vendimtar në përcaktimin e Kryetarit të Komunës. Falë vullnetit të saj, më 2017 fitoi Mytaher Haskuka (VV) duke mundur në balotazh Shaqir Totajn, përkundër që pat marrë 5 mijë vota më shumë në rrethin e parë.

Ndërkaq, vetëm mosmirënjohësit nuk e pranojnë ndihmën e elektoratit të LDK-së për fitoren e Totajt, në zgjedhjet e fundit. Ky as që kishte gjasa teorike ta mundte Haskukën, kur dihej se pos pushtetit lokal, VV-ja mbante edhe atë qendror,  të fituar me 51 % nga Kryeministri Kurti, vetëm 8 muaj para zgjedhjeve lokale. / Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

LDK: Qeverisja Totaj – dy vite abuzime, punësime partiake, korrupsion dhe keq-shpenzim të buxhetit komunal!

 

Asnjë koment

Comments are closed.