25-11-2024

Ekonomistët vlerësojnë se me rritjen e çmimeve nevojiten deri në 700 euro për ta kaluar muajin

Shpenzimet mujore të një familje në Kosovë për të përmbushur vetëm nevojat elementare sillen nga 500 deri në 700 euro, raporton Ekonomia Online.

Sipas ekspertëve kjo shifër ndryshon dhe nuk është e njëjtë për të gjithë, ngase dallimet në mënyrën e të jetuarit janë shumë të mëdha, nga varfëria ekstreme e deri te jeta luksoze.

Në këtë shumë ka ndikuar edhe ngritja e çmimeve për artikujt ushqimor bazik, vlerësojnë ata.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri thotë se kostoja mesatare për të mbuluar shpenzimet e një familjeje duke pasur parasysh edhe çmimet e ngritura nuk e kalon 500 euroshin.

“Me më pak se 300 euro, një familje 5 anëtarësh nuk di a mundet me ia dal. Po flas për ato nivelin më të ulët. Po me marr një standard normal 500 euro nuk e mbulojnë”, ka thënë Shatri.

Njohësi i rrethanave ekonomike Erton Bega, thekson se për të plotësuar nevojat mesatare të një familjeje kosovare, kosto duhet të jetë afro 700 euro në muaj.

“ASK, ka vite që nuk publikon raportin e anketës mbi buxhetin e ekonomive familjare. Raporti i fundit që është publikuar është i vitit 2017 apo 2018. Sipas këtij raporti një familje mesatare në Kosovë shpenzon në koston e jetesës mesatare, diku mbi 600 euro në muaj. Sigurisht që nëse sot llogaritet inflacioni, i cili ka ngritur të gjitha çmimet, kjo është një kosto më e lartë dhe duhet të jetë afër 700 euro në muaj”.Ai thotë se ekonomia jonë varet nga diaspora e se zakonisht kur ata janë prezent Kosova mund të konsiderohet jetë luksoze pasi konsumi i produkteve të shtrenjta rritet. Kostoja e jetesës në Kosovë është më e shtrenjtë se sa në vendet e rajonit, kjo qoftë për shkak të politikave fiskale në aspektin e tatimit në vlerën e shtuar, qoftë përmes dallimit që eksiton në shtresat shoqërore. Ne jemi një ekonomi që varemi shumë nga diaspora dhe remitancat. Zakonisht në periudhën e verës kur ata janë prezent, jeta në Kosovë mund të konsiderohet luksoze sepse konsumi rritet i produkteve më të shtrenjta”, ka thënë Bega.

Sipas tij, dallimi ndërmjet shtresës së pasur dhe asaj të varfër është shumë i madh.

“Problemi më i madh i ekonomisë tonë është që ne shtresën e mesme e kemi shumë të vogël thuajse inekzistente. Diskrepanca që është ndërmjet shtresës me të hyra të ulëta dhe asaj me të hyra të larta është jashtëzakonisht e madhe dhe kjo nuk është e shëndetshme për ekonominë tonë sepse diferencat janë shumë të mëdha dhe përballimi me problemet është i ndryshëm”, ka shtuar ai.

Edhe ish-ministri Shatri thotë se ka dallim mjaft të madh të shtresës së pasur dhe asaj të varfër në vend, duke bërë krahasime me pushimet luksoze në Dubai.

“Po po thellohet dallimi, po shihet. Do të thotë e sheh në çdo hap që e bënë në jetën normale, në rrugë, dikush ka vetura luksoze dikush s’ka hiç. Dikush shkon çdo javë në pushim javor të paktën deri në Shqipëri ose disa që munden të shkojnë edhe në Dubai”, është shprehur ai.

Shatri thekson se në Kosovë ka varfëri ekstreme si dhe është vendi më i pazhvilluar në Evropë.

Asnjë koment

Comments are closed.