Ekspertët financiarë: Disa nga shpenzimet për manifestimin “Remzi Ademaj” në Prizren, nuk kishin mbulesë
Lidhur me këtë manifestim për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj si dhe Bekim Thaqi e Bedri Çeku, si drejtorë të manifestimit “Remzi Ademaj”.
Për këtë rast që është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dëgjuar dy ekspertët Hamdi Kastrati dhe Isak Krasniqi, të cilët kanë bërë përpilimin e super-ekspertizës në këtë çështje penale, e cila ka pasur për qëllim të nxjerr rezultatet lidhur me format e pagesave nga viti 2009 deri më 2012, që kanë pasur të bëjnë lidhur me këtë manifestim.
Pasi që dy ekspertizat e kaluara, njëra e organit të akuzës, e tjera e të akuzuarve, ishin vlerësuar si kundërthënëse, një nga arsyet pse Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim ka qenë edhe kërkesa për caktimin e një super-ekspertize.
Eksperti financiar, Hamdi Kastrati, gjatë elaborimit të kësaj super-ekspertize, në seancën e së hënës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, Mehdi Sefa ka thënë se gjatë kësaj kohe, mjete të lejuar për këtë manifestim kanë qenë në shumën prej 10 mijë eurosh.
Sipas tij, këto mjete më pas janë derdhur në xhirollogarinë e tani të akuzuarit Bekim Thaqi, i cili ka qenë në Këshillin Organizativ të manifestimit, duke shtuar se ato më pas i ka bartur në xhirollogarinë private të Nexhat Çoçajt, që ka qenë drejtor i Arsimit në këtë komunë.
Gjykatësja Ajser Skenderi, e ka pyetur ekspertin Kastrati nëse i është shkaktuar dëm buxhetit komunal dhe nëse po në çfarë lartësie, duke u nisur që nga viti 2009 e deri më 2012.
“Dëmin e buxhetit komunal ekspertët nuk kanë mundur ta përcaktojnë për shkak se nuk ka të dhëna burimore, se prej nga rrjedh shuma 13.150.39 euro të shpenzimeve të bëra nga Nexhat Çoçaj, e cila shumë nuk ka mbulesë nga të gjitha marrjet e tij, të cilët ekspertët e kanë paraqitur në super-ekspertizë”, është përgjigjur eksperti Kastrati.
Në këtë seancë, gjithashtu këtë super-ekspertizë e ka elaboruar edhe eksperti tjetër, Isak Krasniqi.
Ai ka thënë se në fletëdaljen e datës 12 maj 2009 në vlerë prej 600 euro, në përshkrim të realizimit për statujë të bronztë, dërguar nga Tirana, kjo pagesë është bërë me para të gatshme dhe se sipas tij, askund në ndonjë dokument nuk është hasur se malli është importuar nga Shqipëria, si dhe malli i importuar nuk posedon deklaratën doganore të importit.
“Po ashtu më 22 maj2011, përgatitja e botimit të librave të gatshëm nga subjekti “Studio Grafika Durrës”, vlera e mallit 2340 euro nuk është vërtetuar në ndonjë dokument që do të vërtetonte se malli është importuar nga Republika e Shqipërisë, ndërsa pagesa është bërë në të holla të gatshme, si dhe në të njëjtën faturë nuk ka nënshkrim fare. Si dhe rasti i tretë një shumë prej 1800 euro, është paguar personit Maksimilian Mero, në Tiranë, e cila pagesë nuk dihet se për çka është paguar, pra nuk ka një dokumentacion të qartë”, ka thënë eksperti Krasniqi.
Por, me të gjeturat e këtyre ekspertëve, nuk janë ndarë të kënaqur mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Bashkim Nevzati, Osman Zajmi dhe Hylki Kurtaj, duke i kundërshtuar pretendimet e theksuara në super-ekspertizë.
Sipas mbrojtjes, kjo super-ekspertizë ka tejkaluar urdhëresat e dhëna nga ana e Gjykatës dhe se aspak nuk zbaton detyrat të cilat rrjedhin nga dispozitat ligjore.
Ndryshe, kjo seancë gjyqësore ka qenë vazhdimësi e seancës së mbajtur më 14 shtator 2018, ku ka nisur procesi i rigjykimit të këtij rasti, e në të cilën seancë, të akuzuarit edhe njëherë ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.
Në atë seancë, me propozimin e prokurorit Mehdi Sefa dhe në pajtim me mbrojtësit e të akuzuarve ishte bërë leximi edhe i deklaratave të dëshmitarëve dhe të ekspertëve financiarë të dhëna në seancat paraprake gjyqësore.
Shqyrtimi i ardhshëm do të vazhdojë me marrjen në pyetje të të akuzuarve nga ana e prokurorit, si dhe do të bëhet përgatitja e fjalës përfundimtare nga palët në këtë çështje penale.
Gjykatësja Ajser Skenderi, seancat e radhës i ka caktuar më 29 tetor si dhe më më 2 nëntor2018, në orën 9:30.
Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.
Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vite burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim efektiv, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.
Mirëpo, më 27 shtator 2016, Apeli, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.
Apeli gjithashtu ka kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.
Në aktvendimin e Apelit, tutje thuhet se i akuzuari Nexhat Çoçaj, ka prezantuar një ekspertizë financiare, e cila i kundërshton gjetjet e ekspertizës së organit të akuzës, andaj duhet që të bëhet një super-ekspertizë që të sqarohen kundërthëniet.
Trupit gjykues, duke u bazuar në rekomandimet e Apelit, në shkurt të vitit 2017, ka marrë vendim që në këtë lëndë të bëhet super-ekspertiza financiare dhe lënda është dërguar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës.
Fakulteti në fjalë, e ka mbajtur lëndën gjyqësore për më shumë se shtatë muaj dhe nuk e ka kryer ekspertizën e kërkuar nga gjykata, andaj kjo e fundit në fund të nëntorit 2017, ka marrë vendim që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë privatë nga lista e ekspertëve të gjykatës./betimiperdrejtesi/