22-10-2021

Një familje nga Suhareka kërkon largimin e prokurorit dhe gjyqtarit në rastin e vrasjes së familjarit të saj

Një familje nga Semetishti i Suharekës po kërkon përjashtimin nga rasti të prokurorit dhe gjyqtarit kryesor që janë duke udhëhequr rastin e vrasjes së familjarit të tyre.

Abedin Bytyqi është vrarë në tetor të vitit 2016. Për këtë vrasje po akuzohen katër persona, Murat dhe Reshat Ademi, gruaja e të ndjerit Resmije Bytyqi dhe Fadil Fetiu.

Babai i Abedinit, Avdi Bytyqi po dyshon në paanshmërinë e prokurorit të Prokurorisë së Prizrenit Genc Nixha dhe kryetarit të Trupit Gjykues në këtë rast Xheladin Osmani, raporton KosovaPress.

Avdiu po dyshon në paanshmërinë e prokurorit dhe gjyqtarit pasi që ka dyshime se janë korruptuar nga të akuzuarit.

Familjarët e të ndjerit Abedin Bytyqi, i cili ishte vrarë në tetor të vitit 2016, po kërkojnë që që të përjashtohet nga rasti prokurori i shtetit Genc Nixha si dhe kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani, e këtë kërkesë po e bëjnë pasi që po dyshojnë në paanshmërinë e tyre dhe kanë dyshime se të njëjtit janë korruptuar nga të akuzuarit.

Dyshimi i familjes në paanshmërinë e prokurorit të shtetit dhe të gjyqtarit kishte ardhur kur me 2 gusht të këtij viti Gjykata në Prizren e kishte liruar nga paraburgimi të akuzuarin Reshat Ademi, ani pse për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dënimi shkon prej 10 vitesh e deri në burgim të përjetshëm. Megjithatë, pas disa ditësh përsëri Reshat Ademi ishte kthyer në paraburgim.

Për Avdi Bytyqin, lirimi i të akuzuarit për vrasjen e të birit nga paraburgimi është arsye e mjaftueshme që e bënë atë të dyshojë që gjyqtari është i korruptuar.

Madje, ai thotë se nuk ka fare besim tek organet e drejtësisë.

“Unë kërkoj me u nis prej fillimit gjyqi me i shkarkua këta se po dyshoj në ta, a janë të korruptuar a nuk janë unë nuk mundem me ditë saktë, po sipas fjalëve qysh po dëgjoj mendoj ashtu. Mendimi im është që me këta mos me mbajt seancë”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi thotë se për të është e pakuptimtë që dikush që ka kryer vrasje të lirohet nga paraburgimi.

“Në dy seanca nuk më kanë thirr hiç, në të dytën apo të tretën kur kam marrë vesh vet nuk më kanë dërguar letërthirrje hiç, kam shkuar vet. Tani rregullisht kam shkuar nëpër seanca e kam pa që nuk janë duke vazhduar mirë…Unë qysh po e shoh edhe vet aty nuk është duke shkuar në rregull, qysh lëshohet njeriu në arrest shtëpiak, krimineli, qaty unë jam duke dyshuar”, thotë ai.

E dyshimi i familjes se prokurori i rastit është korruptuar ishte rritur kur në media kishin dal disa përgjime që iu ishin bërë të akuzuarve, e aty flitej se e akuzuara Resmije Bytyqi i kishte dhënë 12 mijë euro prokurorit.

Familja Bytyqi edhe më herët kishte kërkuar shkarkimin e prokurorit të shtetit nga rasti, mirëpo kërkesa e tyre ishte refuzuar.

“Kemi kërkuar se nuk mu doke që është duke ecur mirë. Mu doke që ato 12 mijë euro u përmenden, në bazë të atyre, ato 12 mijë euro kush i ka bë gati me ia dërgua. E kanë dëgjuar njerëzit që i ka bë gati 12 mijë euro me ia dërgua Gencit, kur ka marrë vesh Genci tani më shkurt ndoshta nuk kanë guxuar edhe me i marrë, çka po di unë…Vallahi dyshoj edhe mirë bile, tek që nuk është duke shkuar gjykata në rregull dyshoj mirë bile. Unë me sy nuk i kam parë, nuk mund të them që i ka marrë ky se nuk e kam parë me sy, po unë dyshoj, dyshim kam nuk shkon në rregull puna, dyshoj”, thotë Bytyqi.

Kërkesa për përjashtimin e Genc Nixhës dhe Xheladin Osmani nga rasti Bytyqi është dorëzuar të premten e kaluar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit dhe në Gjykatën Themelore në Prizren.

Avokati i familjes Blerim Mazreku ka treguar arsyet se pse kanë kërkuar një gjë të tillë.

“Është kërkesë e familjarëve të viktimës, përkatësisht babait të viktimës Avdi Bytyqit që të kërkohet përjashtimi i kryetarit të trupit gjykues, jo të gjithë anëtarët por vetëm kryetari i trupit gjykues, si dhe prokurori i rastit. Për shkak se gjatë gjithë gjykimit Avdi Bytyqi ka shprehur dyshimin mbi paanshmërinë e prokurorit të shtetit dhe kryetarit të trupit gjykues. Lidhur me kryetarin e trupit gjykues, përkatësisht kërkesën për përjashtim të trupit gjykues i dëmtuari Avdi Bytyqi insiston që të paraqitet kërkesa për përjashtim për shkak se i njëjti para pak javësh ka vendosur që njërin nga të akuzuarit për vrasje të rëndë, përkatësisht Reshat Ademin ta lirojë nga paraburgimi. Vendim i cili është prishur nga Gjykata e Apelit, për më tepër fakti i mos dorëzimit të vendimit për ndërprerje të masës së paraburgimit dhe mos njoftimi fare i palës së dëmtuar, sipas familjarëve e bënë të dyshimtë paanshmërinë e kryetarit të trupit gjykues. Si dhe, e vë në dyshim paanshmërinë për gjykimin e mëtutjeshëm të këtij rasti”, ka thënë Mazreku.

Ndërkohë që arsyeja kryesore se pse kërkojnë shkarkimin e prokurorit të shtetit, sipas avokatit Mazreku është që gjatë fazës hetimore prokurori është përmendur nga disa të akuzuarit se kinse ka marrë një shumë të hollash. Sipas tij, kjo për familjen e të dëmtuarit është shumë e dyshimtë.

KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje rreth këtyre akuzave edhe nga prokurori i shtetit Genc Nixha, por i cili nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të redaksisë, megjithatë ai përmes një SMS ka thënë se gjendet në pushime.

Në anën tjetër, i paqasshëm ka qenë edhe gjyqtari Xheladin Osmani, i cili nuk është përgjigjur thirrjeve të redaksisë.

Por, KosovaPress ka kërkuar përgjigje edhe nga zyra për media e Prokurorisë dhe Gjykatës. Ndonëse është kërkuar të dihet arsyeja se pse është liruar nga paraburgimi i akuzuari Reshat Ademi, nga zyra për media përgjigje është kthyer vetëm sa i përket pyetjes se a e ka marrë vendim Gjykata për kërkesën për shkarkim të gjyqtarit Xheladin Osmani.

“Për përjashtimin e kryetarit të Trupit Gjykues, duhet që kërkesa të parashtrohet në gjykatë dhe për të njëjtën të paguhen taksa administrative, për të cilën ende nuk është paguar,- nëse e njëjta nuk paguhet -, gjykata konsideron si të tërhequr çështjen”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

As zyra për media e Prokurorisë Themelore nuk është përgjigjur në pyetjet e KosovaPressit, por një të tillë e kanë dhënë vetëm sa i përket pyetjes se a është marrë ndonjë vendim për shkarkimin apo jo të prokurorit të shtetit Genc Nixha.

Zëdhënësja e Prokurorisë Fitore Mehmeti, përmes emailit ka thënë se vendimi do të merret brenda afatit kohor.

“Në lidhje me pyetjen e parashtruar, iu bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Prizren, brenda afatit të paraparë ligjor, do të marr një vendim rreth kërkesës në fjalë”, thuhet në përgjigje.

Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzon Murat dhe Reshat Ademin se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore, të ndjerin Abedin Bytyqi. Resmije Bytyqin e akuzon për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu akuzohet për mos lajmërim të veprës penale.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur. Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin. Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Po ashtu, sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur.

Asnjë koment

Comments are closed.