Ky është i arrestuari në Prizren në kuadër të operacionit “Kuzhina” – Policia i gjen drogë në shtëpi
Një tjetër person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për rastin e koduar “Kuzhina”, që lidhet me dyshimet për veprimtari të kundërligjshme me substanca narkotike.
Sinjali mëson ekskluzivisht se personi i arrestuar është Sh. Badalli (42), i cili u ndalua pranë shtëpisë së tij në Prizren, ku më pas u realizua edhe një kontroll policor.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, operacioni është zhvilluar më 22 tetor 2026, rreth orës 11:10, në rrugën “Ulqini” në Prizren, nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, Njësia në Prizren.
Pas arrestimit të Badallit, njësitë policore, në zbatim të urdhërkontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, kanë kontrolluar shtëpinë e tij, me asistimin e njësisë së forenzikës.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 718.18 gramësh.
Përveç substancës së dyshuar narkotike, Policia ka sekuestruar edhe një aparat për vakumimin e qeseve plastike, një peshore elektronike, një pajisje për bluarje të marihuanës (grinder), një telefon, një sprej dhe një pako me letra për mbështjelljen e cigareve.

Sipas vlerësimeve të përfshira në informacionet policore, vlera e substancës së sekuestruar në tregun ilegal arrin rreth 3 mijë e 500 euro.
Pas përfundimit të kontrollit, Badalli është shoqëruar për intervistim, ku është marrë në pyetje në praninë e avokatit të tij mbrojtës.
Me vendim të shkruar, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe i njëjti është dërguar në Qendrën e Ndalimit në Stacionin Policor të Prizrenit.
Rasti po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia kompetente për hetimin e trafikimit me narkotikë në Prizren.

Lexo edhe:
Shpallje nga DPT “Irem – Polem” dhe “Komar” SHPK ( 23. 10. 2026 )
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
