26-11-2024

Eksperti financiar thotë se dëmi i shkaktuar nga ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur është rreth 183 mijë euro

Në këtë rast, Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Drenusha Behluli Mehmeti dhe Hatixhe Përzhella po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarës Përzhella, avokatit Ruzhdi Berisha, eksperti Kastrati ka thënë se të gjitha ekspertizat financiare janë përpiluar në bazë të ekspertizës së ekspertit të ndërtimtarisë, Mustafa Gjurgjealo.

Kastrati ka thënë se për të konstatuar saktësinë e dy ekspertizave ndërtimore duhet të ballafaqohen që të dy ekspertët e ndërtimtarisë për faktin se nuk është kompetencë e ekspertit financiar për vlerësimin e ekspertizave të ekspertit të ndërtimtarisë.

Ndërsa, në përgjigjet e pyetjeve të mbrojtësit të akuzuarit Saiti, avokat Hajrip Krasniqi, eksperti Kastrati ka thënë se të gjitha kontratat i ka poseduar dhe të njëjtat janë pjesë e ekspertizës financiare.

Tutje, ai tha se në raportin e 20 majit 2011, vet organi mbikëqyrës i ka paraqitur të metat, punimet e dobëta, punimet e papërfunduara dhe punimet e pafilluara.

Sipas tij, në bazë të të gjithave procesverbaleve për lejimin e pagesave që janë bërë, eksperti i ndërtimtarisë Mustafa Gjurgjealo ka konstatuar se 76 mijë 132 euro e 39 centë janë paguar për punimet e pakryera.

Po ashtu, ai ka treguar se me kontratat e lidhura me operatorin ekonomik “Albacom Construction”, Komuna e Prizrenit ka paguar për çdo pjesë të punës që është kryer.

Në fund, eksperti Kastrati ka thënë se nuk mund të jap mendimin e tij lidhur me ekspertizën e ekspertit të ndërtimtarisë Bujar Emra, pasi që sipas tij i njëjti nuk ka përfshirë asnjë vlerë financiare.

Lidhur me ekspertizën e ekspertit Kastrati nuk ka paraqitur vërejtje prokurori Genc Nixha, por vërejtje kanë paraqitur të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Tutje, në këtë seancë avokati Krasniqi ka paraqitur prova të reja për të mbrojturin e tij Saiti, ku të njëjtat prova nuk janë kundërshtuar nga prokurori Nixha, e që të njëjtat u lexuan.

Seancat e radhës në këtë rast janë caktuar të mbahen më 12, 13 dhe 19 dhjetor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi 

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.