07-10-2024

Eksperti: Për manifestimin “Remzi Ademaj”, Komuna e Prizrenit është dashur t’i nënshtrohet procedurave tenderuese

Eksperti financiar, Hamdi Kastrati ka deklaruar se alokimi i 10 mijë eurove për manifestimin e javës së dëshmorit “Remzi Ademaj”, është dashur t’i nënshtrohet procedurës së tenderimit.

Një deklarim të tillë, eksperti Kastrati, e ka dhënë në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar seanca e rigjykimit ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me të, për herë të tretë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, po gjykohen edhe dy mësimdhënësit, Bekim Thaqi dhe Bedri Çeku.

Ata akuzohen se në periudhën kohore prej 2008-2012, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë realizimit të manifestimit tradicional “Remzi Ademaj”, në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim, në seancën e mbajtur më 8 nëntor 2019, prokurori Mehdi Sefa, ishte tërhequr nga ndjekja penale për pikën e dytë të aktakuzës ndaj Çoçajt.

E në pikën e dytë të aktakuzës, për të cilën prokurori Sefa, është tërhequr nga ndjekja penale për shkak të parashkrimit absolut, Çoçaj akuzohej se si person zyrtar kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare gjatë periudhës kohore maj-qershor 2009.

“Meqë kjo vepër është e dënueshme me burgim prej 6 muaj deri në 5 vite, atëherë në kuptim të nenit 107 paragraf 8, në mënyrë decidive theksohet se ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”, kishte deklaruar prokurori Sefa.

Sipas tij, pasi nga kjo periudhë kanë kaluar 10 vjet, ka ardhur deri te parashkrimi absolut, i veprës penale, duke shtuar se do të vazhdojë gjykimi sa i përket dispozitivit të tretë, katërt e pestë të aktakuzës.

Ndryshe, në seancën e së martës, gjatë elaborimit të ekspertizës së tij, eksperti Kastrati ka thënë se në këtë rast, Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren, është dashur që për alokimin e kësaj shume për një manifestim të tillë, t’i nënshtrohej procedurave tenderuese, por që sipas tij, një gjë të tillë nuk e ka bërë kjo drejtori.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, e ka pyetur eksperti se kush ka qenë drejtor i Arsimit në atë kohë, derisa Kastrati është përgjigjur duke thënë se në kohën kur është bërë alokimi i këtyre mjeteve, drejtor ka qenë, Nexhat Ҫoҫaj dhe se sipas tij, mjetet janë derdhur në llogarinë e  Bekim Thaqit, në dy shuma të ndara.

Mirëpo, i akuzuari Çoçaj e ka mohuar se ai gjatë asaj kohe ka qenë drejtor i Arsimit në Prizren.

Ҫoҫaj ka deklaruar drejtor ai është bërë në vitin 2011, pas përfundimit të këtij manifestimi, që është objekt i kësaj akuze.

Duke iu përgjigjur të akuzuarit Ҫoҫaj, eksperti financiar ka deklaruar se si posedues të xhirollogarisë figuron ndërmarrja e Nexhat Ҫoҫajt, si pronar dhe drejtor i ndërmarrjes “Bogdani”.

Eksperti Kastrati, ka shtuar se Banka Qendrore e Kosovës, gabimisht i ka lejuar bankat komerciale në Kosovë, që kur të bëhet deponimi i mjeteve financiare të shënohet vetëm deponim, pa e dhënë përshkrimin e plotë se nga rrjedh ai deponim i mjeteve financiare dhe se me rastin e tërheqjes së mjeteve financiare nga bankat komerciale në Kosove, sipas tij, në çdo rast shkruan tërheqja e mjeteve, mirëpo nuk shkruan tërheqja e mjeteve për destinim të caktuar.

Ndërkaq, avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë pasur vërejtje, me arsyetimin se ekspertiza është e paqartë dhe pa dokumente mbështetëse.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka njoftuar se njofotoi se seanca e radhës do të mbahet më 13 mars 2020, në ora 10:00 dhe se në këtë seancë obligohet përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, që të deklarohet se nëse kjo komuna e konsideron veten si të dëmtuat dhe në çfarë shume.

Ndryshe, në qershor të vitit 2016,  i akuzuari Çoçaj ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, Thaqi ishte dënuar me një vit e dy muaj burgim, ndërsa Çeku ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Më 27 shtator 2016, Apeli kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe kishte kthyer lëndën në shkallën e parë për rivendosje.

Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.

Kjo gjykatë, gjithashtu kishte kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunalë.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut.

E më pas, më 15 gusht 2019, Apeli kishte aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe kishte kthyer lëndën në rigjykim për të dytën herë.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar që në rigjykim, gjykata t’i administrojë edhe njëherë të gjitha provat në këtë çështje penale dhe të bëjë vlerësimin e provave të administruara.

Gjithashtu, gjykata e shkallës së dytë, kishte kërkuar që të dëgjohet edhe njëherë përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, lidhur me faktin se sa ka qenë dëmi në këtë rast.

Apeli kishte kërkuar që edhe njëherë të dëgjohen ekspertët që kanë bërë super ekspertizën në këtë rast.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.