Ekstradohet nga Kosova Indrit Taullai, anëtari i bandës së Durrësit i arrestuar në Prizren

Indrit Taullai, anëtari i bandës së Durrësit është ekstraduar sot nga Kosova.

Ai u arrestua në Prizren të Kosovës më 7 dhjetor rreth orës 14:21.  Taullai ka qenë i dënuar me 25 vite heqje lirie si pjesë e bandës së Durrësit dhe ishte liruar me një vendim të Gjykatës së Lartë për t’u trajtuar në kushte spitalore pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

46-vjeçari, banues në Durrës ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”.

Banda kriminale, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin bregdetar. Sipas Ministrisë së Brendshme, “ai është autor i një sërë vrasjeve te ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit.

 Gjithashtu ditën e sotme u ekstradua nga Stuttgart i Gjermanisë Gjergji Çollaku, banues në Korçë, pasi  ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 11.09.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. 56-vjeçari, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Kurse drejt Kosovës është ekstraduar Ahmet Isufaj 58 vjeç, banues në Fier, pasi Gjykata e Lartë, me Vendimin e Kolegjit Penal të kësaj gjykate, datë 11.12.2020, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga ky shtetas ndaj vendimit të datës 23.07.2020 të gjykatës së Apelit Vlorë. Ai është ekstraduar me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata Themelore Prishtinë, për veprat penale “Krim i organizuar ” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

Interpol Tirana

Vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për kapjen, arrestimin dhe ekstradimin brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.  Ekstradohen nga Gjermania dhe Kosova, drejt vendit tonë, 2 shtetas shqiptar. Ekstradohet drejt Republikës së Kosovës, një tjetër shtetas shqiptar.  Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me zyrat homologe, falë shkëmbimit të vazhdueshëm të informacionit, është bërë i mundur arrestimi dhe më pas ekstradimi drejt vendit tonë i 2 shtetasve shqiptar, si dhe ekstradimin drejt Kosovës i një tjetër shtetasi shqiptar. U realizua me sukses ekstradimi nga Stuttgart/Gjermani drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: Gj. Ç., 56 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 11.09.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, nga Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Republika e Kosovës drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: I. T., 46 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale “Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja  të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal”,  “Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”. Po nga zyra e ZQK Interpol Tirana, ditën e sotme është finalizuar me sukses ekstradimi drejt Republikës së Kosovës, i shtetasit shqiptar: A. I., 58 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas ishte shoqëruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, pasi Gjykata e Lartë, me Vendimin e Kolegjit Penal të kësaj gjykate, datë 11.12.2020, ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga ky shtetas ndaj vendimit të datës 23.07.2020 të gjykatës së Apelit Vlorë (me të cilin ishte vendosur lënia në fuqi e vendimit lejues të ekstradimit nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier). Ky shtetas është ekstraduar drejt Republikës së Kosovës, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” të vendosur nga Gjykata Themelore Prishtinë, për veprat penale “Krim i organizuar ” dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”. /Top Channel