Ekzekutohen 37 milionë euro subvencione për bizneset
Qeveria e Kosovës ka ekzekutuar 37 milionë euro nga 60 milionët sa i ka ndarë në formën e subvencioneve për bizneset, bazuar në programin për rimëkëmbjen ekonomike.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, përfituese janë 15 mijë e 745 biznese.
Lexo Edhe:
Prizreni ndër komunat e fundit në vend për performancën për taksat dhe tarifat (dok)
Ekzekutimi i këtyre mjeteve ishte bërë bazuar në vendimin e Qeverisë, në mbledhjen e 33-të, ku theksohej se “ndarja e mjeteve bëhet për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive, bazuar në numrin e të punësuarve të deklaruar në deklaratën e tatimit në pagë të muajit dhjetor 2019, që plotësojnë kushtin: që të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv në muajin korrik 2020 në ATK, si dhe të kenë të dorëzuar deklaratën vjetore, tremujore dhe deklaratën për tatimin e mbajtur në burim në paga, sipas legjislacionit në fuqi”.
Subvencionimi përfshinte edhe bizneset e regjistruara gjatë periudhës janar-gusht 2020, e subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve të deklaruar për muajin korrik 2020.
Përjashtim bënin ndërmarrjet publike dhe bizneset që operojnë në sektorët që kanë tregun e rregulluar nga Rregullatorët.