22-11-2024

“Eqa”, “Muja”, “Myta” dhe qejfi pushtetor

 

Shkruan: Qazim Morina / Prizren

Tre nga kryetarët e fundit të Prizrenit, Eqrem Kryeziu (LDK), Ramadan Muja (PDK) dhe Mytaher Haskuka (VV) kanë gradën doktor shkence dhe kanë punuar edhe në universitet (Haskuka vazhdon ende).  Prizrenasit zakonisht kanë parapëlqyer t’i thërrasin shkurt: “Eqa”, “Muja” dhe “Myta”.

Shkak për këtë shkrim është bërë një tregim i Mujës dhe insistimi i Haskukës për kandidim për rimarrjen e postit të të parit të komunës,  përkundër kritikave të shumta nga opozita dhe shoqëria civile për dështim, gjatë mandatit të parë dhe kundërshtimeve nga shumica brenda degës së VV-së në Prizren.

Në vjeshtën e vitit 2008, Muja kishte një vit nga marrja e pushtetit si kryetar komune. Gjatë një interviste, ku kishte rrëfyer për sfidat në këtë post, ai ndër tjera, në humor e sipër ma pati treguar një bisedë interesante me paraardhësin e tij, Kryeziun, kur Muja ishte deklaruar i painteresuar për të vazhduar karrierën, aq më tepër tash kur kishte nisur pensionin.

Gjatë një konsultimi me Kryeziun rreth statusit të objektit të komunës, që ishte zhvendosur në pronën e ish-BANKKOS-it të menaxhuar nga UNMIK, si profesorë dhe fqinj, ata kishin bërë edhe ca “muhabete”.

Muja pati pohuar se Kryeziu e kishte porositur, që në fillim të mandatit, të mos deklarohej i painteresuar për pushtet, pasi, sipas tij, nga përvoja ai kishte parë se me kalimin e kohës, kjo pozitë i kishte hyrë në qejf.

Thënia e Eqës, më vonë doli e vërtetë edhe tek Muja, i cili përkundër disa kundërshtimeve, mandatin e mbajti për 10 vjet, ndonëse në moshë të shtyrë. Sipas një mikut tim, madje Mujës i kishte mbetur hatri në vjeshtën e 2017-tës, kur pas tre mandatesh, nuk i ishte ofruar sërish rikandidimi për kryetar komune.

Kjo “sëmundje” duket se e ka përfshirë edhe Mytën.  Ai madje është bërë “rast precedent” në partinë e tij “Vetëvendosje”, duke shkelur deklarimin e saj se është “ndryshe” pasi do ta zgjedhte kandidatin për kryetar komune me votim në bazë (pra në komunë) e jo në Prishtinë, si ndodhi me Haskukën, që përkundër 61 anëtarëve të Këshillit në Prizren, të cilët votuan kundër, ndërsa vetëm 58 ishin pro tij, ai tashmë është në garë për herë të dytë.

Meqë Haskuka, sipas deklarimit të pasurisë nuk qëndron keq dhe po ashtu punon edhe në Universitetin e Prishtinës, ku tashmë të ardhurat janë “kogja” të larta, bile më të larta se paga e rregullt e një kryetari,  nuk e kuptoj këmbënguljen e tij në politikë, që shpesh e vë përballë situatave të pakëndshme, madje duke tejkaluar edhe profilin e një profesori universitar.

P.S.

Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.