Erdogan: “Një natë mund të vijmë papritmas”, përgjigje jo vetëm për Greqinë, por për të gjitha shtetet që na sulmojnë
Duke u adresuar në një konferencë për media në Pragë, ku u mbajt takimi i parë i Komunitetit Politik Evropian, presidenti Erdoğan u pyet nga një gazetare greke nëse shprehja e tij “Një natë mund të vijmë papritmas” nënkupton sulm ndaj Greqisë.
“Domethënë, ju e paskeni kuptuar çështjen. Kjo nuk vlen vetëm për Greqinë. Cilido vend që na shqetëson apo sulmon, përgjigja jonë ndaj tyre është: ‘Një natë mund të vijmë pa pritur’”, tha Erdoğan.
“Kjo duhet të kuptohet në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Presidenti Erdoğan mori pjesë në takimin e parë të Komunitetit Politik Evropian, i cili përfshin 27 vendet e BE-së dhe 17 vende të tjera të Evropës, me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryeministrit çek Petr Fiala.
Në konferencën për media, ai tha se ka zhvilluar bisedime “intensive dhe produktive”, ku Turqia përcolli pikëpamjet, kontributet dhe vlerësimet e saj mbi sfidat me të cilat përballet Evropa aktualisht në aspektin e paqes dhe sigurisë, energjisë, klimës dhe situatës ekonomike.
Ai po ashtu tha se vendi i tij pret që BE-ja t’i bëjë thirrje Greqisë për dialog në baza dypalëshe, në vend që të mbështesë iniciativat ilegale.
“Unë pres që BE-ja t’u bëjë thirrje bashkëbiseduesve tanë për dialog mbi baza dypalëshe në vend që të mbështesë iniciativat ilegale që maskohen si unitet ose solidaritet”, tha Erdoğan. /IO