Escobar parlajmëron sanksione të reja në vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dje ka paralajmëruar se do të ketë edhe më shumë shpallje personash non grata e sanksione për liderë të korruptuar, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

“Do të ketë më shumë, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për mediat shqiptare.

I pyetur specifikisht për Shqipërinë, Escobar ka thënë se s’do të flas përpara se të ndërmerren sanksionet.

“Nuk dua t’i paraprij sanksioneve tona, por do të ketë më shumë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Escobar.

I pyetur se pse ka kaq shumë shqiptarë në listën e zezë të SHBA, Escobar tha se, “jo! Në fakt, do të shihni më shumë! Por në fakt, kjo është pyetja që marrim nga shumë njerëz. Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit, apo serbët. Por e vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik”, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.