EULEX-i ndryshon daljen e Thaçit për të ikur nga protestuesit?
Pasi qëndroi në Kosovë për rreth 24 orë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është larguar nga zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë për t’u nisur drejt Hagës.
Mediat dhe një numër qytetarësh që kishin dalë për të protestuar, ishin të pranishëm para njërës nga hyrjet e bazës së EULEX-it.
Ndërkohë, me të ardhur koha që Thaçi të largohet nga aty, ai është përcjellur me vetura për të dalë nga hyrja kryesore, atje ku kishte më pak protestues.
Nuk dihet nëse një vendim i tillë është marrë për të ikur nga numri i qytetarëve që ishin mbledhur për të protestuar, siç shihet edhe në pamjet më poshtë.
Ndryshe, derisa Thaçi po largohej nën masa të rrepta sigurie, grupi i te rinjve që ishin mbledhur për të protestuar thërrisnin emrin e tij dhe të UÇK-së.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovës, ai është vizituar nga familjarët e tij.
Fillimisht, Thaçi ka pasur një vizitë nga tre vëllezërit e tij dhe më pas është vizituar edhe nga bashkëshortja, Lumnije Thaçi.
Pas vizitës, Gani Thaçi ka folur shkurt për media, duke thënë se ish-presidenti është mirë me shëndet.
“Është mirë me shëndet, s’kemi të drejtë me folë” – ka deklaruar ai.