Facebook do të ndryshojë emrin: Ç’po ndodh me rrjetin e fuqishëm?

Facebook po planifikon të ndryshojë emrin duke marrë një emër të ri që fokusohet në metaverse – një hapësirë virtuale në të cilën përdoruesit mund të ndërveprojnë me një mjedis të krijuar nga kompjuteri dhe përdorues të tjerë. Lajmin e ka bërë të ditur The Verge, sipas së cilës ndryshimi i emrit do të shpallet javën e ardhshme.

Ndërsa vetë Facebook tha se nuk preferon të komentojë rreth kësaj çështjeje.

Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg planifikon të flasë për ndryshimin e emrit në konferencën vjetore të kompanisë Connect, më 28 tetor, por mund të zbulohet më shpejt, thuhet në raportin e The Verge.

Ky ndryshim ka të ngjarë ta pozicionojë aplikacionin e mediave sociale Facebook, si një nga shumë produktet nën një kompani mëmë, i cili gjithashtu do të mbikëqyrë aplikacione si Instagram, WhatsApp, Oculus etj.

Kjo ka ardhur në një kohë kur Facebook përballet me presion të madh pas zbulimeve nga ish-punonjësja France Haugen, e cila tha se kompania kishte vënë “fitimet para njerëzve” dhe se po dëmton fëmijët dhe po destabilizon demokracitë. Haugen foli pas publikimit të një sërë dokumentesh në Wall Street Journal, duke përfshirë shfaqjen e hulumtimeve të brendshme që zbulojnë se 30% e vajzave adoleshente mendonin se Instagrami ndikonte për keq në imazhin që ato kanë për trupin e tyre./GE