26-04-2024

Fatos Tarifa: Njeriu i Vitit 2020, studenti i verbër Stenaldo Mëhilli, në 35 vjet nuk kam njohur një mendje kaq të aftë

Është i treti vit radhazi që Redaksia e gazetës DITA më fton të jap vlerësimin tim për “Njeriun e Vitit” që po lëmë pas. Për mua, një njeri i tillë nuk ka qenë—dhe nuk është as këtë herë—një individ ndër ata që shumë njerëz, për të mos thënë pjesa më e madhe, i konsiderojnë persona VIP (Very Important Persons).

Në shumicën dërrmuese të rasteve, një VIP s’është veçse një person krejt i parëndësishëm për shumicën e njerëzve, edhe nëse një person i tillë ulet në një karrike të rëndësishme në hierarkinë shtetërore, ose ka një biznes të madh dhe shumë pasuri, ose nëse fytyra dhe emri i tij shihen shpesh në televizion apo në faqet e para të gazetave të vendit.

Në sytë e mi dhe në gjykimin tim, “Personi i Vitit 2020” është një djalë i ri. Ai është 23 vjeç. Këtë vit u diplomua me rezultate të shkëlqyera për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Nju Jorkut në Tiranë. Ky është STENALDO MËHILLI.

E kam njohur personalisht nga afër gjatë katër viteve që ai studioi në atë universitet si një prej profesorëve të tij. Kurrë nuk kam ngurruar të them se ky djalë i ri është një krijesë e bukur e një shoqërie, e cila, për një kohë të gjatë, ka dështuar të modernizohet si një qytetërim demokratik, por ai është edhe një shembull kuptimplotë e shpresëdhënës se Shqipërisë nuk i mungojnë vajzat dhe djemtë që do e bëjnë këtë vend “si gjithë Europa”, edhe nëse ata nuk kanë vëmendjen dhe ndihmën e duhur të shtetit e të shoqërisë.

Sytë e Stenaldos nuk e kanë parë kurrë dritën e diellit, e cila është burimi i parë i çdo gjëje që njohim. Por drita që s’kanë mundur ta shohin dot sytë e këtij djali të ri e mjaft të talentuar, është akumuluar dhe gjendet me bollëk në shpirtin dhe në mendjen e tij, duke e bërë atë një njeri shpirtgjerë, me një mendje të ndriçuar e të hapur ndaj botës së ideve, si dhe ndaj vlerave më të mira të moralit njerëzor.

Shkrimi i z.Tarifa është pjesë e forumit për Njeriun e Vitit me analistët dhe bashkëpunëtorët e DITA. Forumi botohet numrin e fundit të çdo viti

Në më shumë se 35 vite që kam dhënë e jap mësim në disa universitete, brenda e jashtë vendit, unë nuk kam pasur deri më sot—dhe as kam njohur—një student, cili, falë teknologjive “të zgjuara” (clever technologies) që ka bërë të mundura revolucioni dixhital, të ketë lexuar kaq shumë sa Stenaldo Mëhilli, të njohë kaq shumë autorë dhe vepra dhe t’i citojë ata me kaq saktësi sa ai.

Unë nuk kam pasur—dhe as kam njohur—deri më sot një student me një mendje kaq mirë të ushqyer intelektualisht, kaq të hapur e refleksive sa Stenaldo, të aftë për të arsyetuar lirisht e në mënyrë kritike, një tipar ky që ai e ka kultivuar duke lexuar veçanërisht Bertrand Russell-in; as kam njohur deri më sot një të ri që të ketë pasur një kuptim e një vizion kaq të emancipuar, modern e përparimtar për jetën dhe për shoqërinë sa ai.

Nuk janë vetëm arsimimi i shëndoshë e cilësor që ka marrë dhe mendja që ai ka formuar në këta 23 vite të jetës së tij ato që e dallojnë Stenaldon ndër më të shumtët e brezit të tij. Talenti i tij artistik, i ushqyer nga një vullnet i çeliktë dhe nën kujdesin e një nëne të mirë meriton gjithashtu të vihet në pah.

Edhe pse tërësisht i verbër, Stenaldo mësoi të luajë në piano kur ishte 6 vjeç dhe kompozoi të parën këngë kur ishte 8. Sot, repertori i tij i pasur përmban këngë Blues, Rock, Country dhe Pop dhe është një kënaqësi e veçantë ta dëgjosh të këndojë.

Kushdo që ka pasur mundësinë—në rastin tim edhe fatin—që ta njohë Stenaldo Mëhillin, duhet të ketë kuptuar se ky djalë, i zakonshëm në dukje, edhe pse me aftësi ndryshe, është një njeri i jashtëzakonshëm. Ai ka bërë dhe mund të bëjë shumë gjëra që njerëz më të mëdhenj në moshë dhe me më shumë eksperiencë sesa ai, me një arsim më të plotë e më të mirë se i tij dhe, mbi të gjitha, njerëz të cilëve nuk u ka munguar as edhe një ditë të vetme drita e syve, nuk kanë mundur t’i bëjnë dot.

Këtë aftësi të Stenaldos unë e quaj të jashtëzakonshme dhe, për këtë arsye, e konsideroj atë, si individ, por edhe si një tip njerëz, Njeriun e Vitit 2020 në Shqipëri.

Stenaldo do të ishte një këshilltar i mençur pranë drejtuesve më të lartë të shtetit për çështje të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme, por ai do të ishte një këshilltar po aq i mençur për çështjet e arsimit të lartë, të rinisë e të kulturës në vendin tonë.

Sepse Stenaldo, pavarësisht moshës së tij shumë të re, është një njeri i ditur, i drejtë dhe i sinqertë. Si i tillë, ai rrezaton mirësi,  kulturë dhe frymëzon. Njeriu i Vitit duhet patjetër të jetë një njeri, i cili, me shembullin e tij, frymëzon.

Shkurt, unë kam çdo arsye që ta konsideroj Stenaldo Mëhillin si “Njeriun e Vitit” dhe nuk kam asnjë arsye që të sugjeroj një tjetër emër në vend të tij. /Gazeta DITA/

Asnjë koment

Comments are closed.