26-11-2024

Festa i mblodhi mbi 600 mijë pelegrinë

Festës madhështore të Baba Tomorit me pjesëmarrjen e mbi 600.000 pelegrinëve në Malin e konsideruar të shenjtë nga besimtarët bektashinj kudo në Botë, iu bashkuan personalitete të rëndësishëm jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga politika turke dhe e Maqedonisë së Veriut.

Në pelegrinazhin madhështor mori pjesë edhe kryetari i opozitës turke zoti Kemal Kılıçdaroğlu dhe kryetari i parlamentit se Maqedonisë së Veriut, Telat Xhaferri.

Mikpritësi i vizitorëve të veçantë ishte Baba Mondi, i cili i shoqëroi në tempullin e shenjtë të Abaz Aliut ku të pranishmit kanë marrë shenjtërinë dhe i janë bashkuar lutjes së kryegjyshit botëror për mirësi e më shumë mbarësi.

Baba Mondi falënderoi të pranishmit për nderimin që i bënë malit të shenjtë. Kryegjyshi botëror veçoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer që zoti Hysenbelliu i jep komunitetit bektashinj.

“Falënderoj Zotin që e arritëm këtë ditë, dua të falënderoj të gjithë ata që e nderojnë Abaz Aliun. Falënderoj Presidentin e Republikës, kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, ministrin, kryetarin e opozitës turke, po ashtu dhe presidentin dhe vëllain tonë të News24, i cili nuk na ndahet, na jep forcë na jep mbështetje, për të arritur ato qëllimet tona dhe i lutet Zotit si ne për t’i plotësuar dëshirat dhe të eci sa më përpara për t’i ardhur në ndihmë të gjithë njerëzve se sa më i pasur të jesh aq më shumë u jep ndihmë njerëzve. Edhe në këtë rast Abaz Aliu na dhëntë bekimin e tij për vazhduar jetën tonë që është e mundimshme e me sakrifica, këtë tregoi Abaz Aliu që me sakrifica dhe me gjak arrihet dhe fitorja.” u shpreh Kryegjyshi Botëror.

Vizitë të paharruar e ka cilësuar kryeopozitari turk vizitën në Malin e Shenjtë të Tomorrit.

“Për mua është më rëndësi që vizitoj sot një vend të shenjtë që ka një forcë shpirtërore. Bektashizimi në këtë zonë ka qindra vjet që e vazhdon traditën dhe rrugën e vet që ka nisur qysh nga fillimi. Tregon sa baza të forta dhe të thella ka bektashizmi si dhe afërsinë ndaj Zotit. Këtu vijnë më mijëra njerëz, bëjnë kurbanë, i drejtojnë lutje Zotit, pastrojnë shpirtrat e tyre. Unë jam shumë i lumtur që bëra këtë vizitë ku u mirëprita bujarisht. Të vizitosh një njeri shumë të lartë, një shenjtor në majë të malit është në të vërtetë shumë e çmuar. E di që këtu ka një problem në lidhje me rrugën për të mbërritur por unë besoj se ky problem do të zgjidhet së shpejti” tha ai.

Ministri i turizmit Klosi duke e cilësuar malin e Tomorrit të magjishëm tha se qeveria do të punojë për të përmirësuar infrastrukturën rrugore.

Baba Mondi ka kryer ritualet e shenjta tek kurbanët që simbolizojnë flijimin për dashurinë e gjithë pelegrinëve dhe besimtarëve bektashinj në botë. Kryegjyshi më pas zhvilloi një tur në “Sofrën e Perëndisë” siç thotë legjenda dhe u përshendet me vizitorët e veçantë duke i ftuar sërish vitin tjetër në Malin e Tomorrit aty ku buron fuqia e pashtershme e komunitetit bektashi dhe e malit të shenjtëruar./bw

Asnjë koment

Comments are closed.