Filloi ndërtimi i segmentit të dytë të transitit në Malishevë
Sot edhe zyrtarisht ka filluar ndërtimi i segmentit të dytë të rrugës transite, apo rrugës unazore në Malishevë.
Në ceremoni ishin të pranishëm, i pari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, zëvendësministrja e Ministrisë për Tregti dhe Industri, Arberësha Krasniqi, dhe zëvendësministrat e MI-së, Idriz Selimaj e Rexhep Kadriu.
Në njoftimin e Komunës së Malishevës, thuhet se ministri Lekaj ka thënë se këto investime tregojnë angazhimin e ministrisë, për rregullimin e infrastrukturës në tërë vendin. “Malisheva ka përfituar këto investime, ashtu sikur edhe të gjitha komunat në Kosovë dhe ne jemi të përkushtuar që të vazhdojmë me këto investime, që kanë rëndësi dhe ndihmojnë qarkullimin më të lehtë për të gjithë”, citohet të ketë thënë ai.
Kryetari Begaj ndërkaq, ka thënë se ndërtimi i transitit ka rëndësi të madhe për Malishevën dhe qarkullimin e automjeteve. Po ashtu kjo rrugë ndikon edhe në zhvillimin ekonomik, pasi qarkullimi do të jetë më i lehtë, prandaj e falënderoj ministrinë për këtë investim domethënës për Malishevën.
Rruga transite ka një gjatësi prej 14 kilometra dhe do të kushtoj rreth 4.5 milion euro, ndërsa segmenti i dytë që ka filluar sot, ka një gjatësi prej 4.1 kilometra dhe parashihet të kushtoj 959 mijë euro.
Po ashtu, sot në fshatin Balincë, është praruar edhe ura e ndërtuar në rrugën Prishtinë-Pejë, që kalon nëpër Komunën e Malishevës. Kjo mundëson qasjen dhe qarkullimin pa probleme të qytetarëve, të fshatit Balincë./GazetaePrizrenit.net