12-12-2024

Pranon fajësinë i akuzuari për posedim të narkotikëve në Malishevë

I akuzuari për posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, Adem Mazreku, e ka pranuar fajësinë, në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, i akuzuari Mazreku ka thënë se e ndien veten fajtor, duke kërkuar nga gjykata që ndaj tij të shqiptohet një dënim sa më i butë, pasi që është hera e parë që ka kryer vepër penale.

Mazreku deklaroi se posedimi i narkotikëve ishte gabim, dhe se veprën penale e ka pranuar në mënyrë vullnetare edhe në polici edhe të prokurori, e po ashtu edhe tani në gjykatë.

Prokurori Hasanaj, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Mazreku, pasi sipas tij, një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës, dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa atë e ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 25 qershor 2019, në ora 11:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 31 tetor 2018, ndaj Adem Mazrekut, me pretendimin se ka kryer veprën penale “posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275, paragraf 2, të KPRK–së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Adem Mazreku, më 19 korrik 2018, në Malishevë, në rrugën “Ibrahim Mazreku, pa autorizim posedon substanca psikotrope ose analoge, të llojit “marihuanë”, të shpallura të rrezikshme sipas nenit 9 dhe nenit 17 të Ligjit për barnat narkotike, substanca psikotrope dhe prekusorë.

Në aktakuzë thuhet se gjatë një kontrolli policor, në afërsi të të akuzuarit Mazreku, në tokë është gjetur e gjuajtur një cigare e mbushur me substancë në formë bari, e dyshuar për narkotikë të llojit “marihuanë”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, po ashtu në xhepin e xhaketës së të akuzuarit janë gjetur mbetje të substancës narkotike në formë bari, me ngjyrë të gjelbër, e dyshuar për narkotikë të llojit “marihuanë”, me peshë neto 0.65± 0.0001 gram, e cila substancë më pas sekuestrohet nga policia. /BetimiërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.