Filmi serb për krimet ndaj shqiptarëve më 1999 vjen në Prizren
Një film i veçantë – i realizuar nga një regjisor serb që hap një nga episodet më të errëta të luftës në ish-Jugosllavi – do ta hapë programin e premierave në kinemanë e qytetit të Prizrenit.
“The Load”, me regji të Ognjen Glanoviq, do të shfaqet në “DokuKino” të enjten. Filmi me titull origjinal “Teret” sjell rrëfimin e Vlladanit (Leon Luçev), të cilit i është dhënë detyra ta transportojë një kamion nga Kosova në Serbi. Filmi ishte shfaqur premierë në Festivalin e Filmit në Cannes dhe është cilësuar si një prej filmave më të guximshëm, i prodhuar në territorin e ish-Jugosllavisë, e që e trajton një aspekt të luftërave që çuan përfundimisht në shkatërrimin e Jugosllavisë.
Në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s, regjimi i Milosheviqit filloi kampanjën e fshehjes së gjurmëve të krimeve të kryera në Kosovë nga forcat policore dhe ushtarake. Për këtë arsye u ekzekutua projekti i bartjes së kufomave të viktimave të vrara në Kosovë në drejtim të Serbisë përmes kamionëve dhe që kryesisht janë varrosur në varreza masive brenda kazermës speciale të policisë në Batajnicë.
Siç është shkruar në njoftimin për shfaqjen e “The Load” në Prizren, vetë regjisori Ognjen Glanoviq rrëfen se nëpërmjet këtij projekti ka dashur të tregojë sesi është dukur shteti i tij në atë kohë./koha.net