Fjala “Koti” përplas deputetët
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, e ka quajtur qeverinë e Kosovës, Qeveri Koti, për çka ka ngjallur debat në mes deputetëve të LDK-së dhe kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani.
Deputeti Abrashi, teksa ishte duke folur për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, tha se ekziston një pengesë, e që tha se është qeveria koti.
“Po akuzoni LVV-në që nuk i mbështet projektet apo vendimet të cilat kanë synim ndihmën ekonomike të qytetarëve në një kohë të vështirë. Dakord, LVV mund t’i votojë të gjitha këto marrëveshje, por edhe ju e dini që ekziston një pengesë e patejkalueshme dhe ajo quhet qeveria ilegale koti. Nëse më të vërtetë e keni synim dhe përnjëmend interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për me i kalua këto marrëveshje atëherë hajdeni dëshmojeni. Le të del sot i ashtuquajturi kryeministri Hoti le të thotë këtu në foltore që unë jap dorëheqje aman kalojeni për hir të interesit të qytetarëve, sot e keni votën e LVV-së”, tha ai.
E etiketimi si Qeveri Koti, ka ngjallur reagimin e LDK-së. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar që deputeti Abrashi të tërheq fjalën ose të përjashtohet nga seanca.
“E nderuara kryesuese e seancës kërkoj nga ju që të jeni e vëmendshme dhe të respektoni rregulloren. Gjuha jo parlamentare që po përdoret këtu që u përdor nga parafolësi është gjuhë ofenduese dhe është gjuhë e dënueshme. Prandaj, kërkoi nga ju që t’i kërkoni deputetit Abrashi që të tërheq fjalën e vet ose përndryshe të përjashtohet nga seanca, sepse ka përdorur gjuhë ofenduese dhe denigruese ndaj kryeministrit, pra duke e quajtur kryeministër koti që përbënë ofendim të kryeministrit dhe kjo fjalë duhet të tërhiqet dhe të kërkoi falje, përndryshe duhet të përjashtohet nga seanca për këtë shkelje.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, tha se ai është deputeti i LVV-së dhe nuk mund t’ia ndal askush fjalën.
“Unë nuk jam deputet i LDK të cilin ti sot mundesh me qitë prej salle dhe me ma mbyllë gojën edhe me ma ushtrua diktatin e politike antidemokratike të LDK-së. Unë jam deputet i LVV-së, këtë mos e harro”, tha ai.
Prapë ka reaguar deputeti i LDK-së Arben Gashi, i cili tha se ka kërkuar që të iniciohet mocion procedural ndaj deputetit Abrashi.
“Unë propozova mocion procedural dhe kërkoi që kjo të hidhet në votim. Deputeti parafolës përdor gjuhë denigruese dhe fyese dhe nëse ai nuk është në gjendje me u edukua dhe vet edukua, nëse nuk është në gjendje me u përmbajte atëherë ka procedura dhe rregulla që e edukojnë”, tha ai.
Në mbrojtje deputetit të LVV-së, Artan Abrashi, i ka dal shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, i cili edhe ai e quajti Qeveri Koti.
“Fjala koti nuk është gjuhë joparlmentare. Në radhë të dytë deputeti Abrashi foli shumë mirë, madje e inkurajoj që të vazhdojë kështu siç ka nisur. Në radhë të tretë edhe unë mendoj që qeveria aktuale ilegale dhe ilegjitime është koti. Sa herë të reagoni do t’ua përsërisim kotësinë tuaj në këtë qeveri. Prandaj, as që duhet dikujt t’i shkoj në mendje që mund të qes deputetë të LVV-së nga salla, harrojeni, harrojeni”, tha ai.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i ka lexuar nenin 41 të rregullores së punës së Kuvendit kryetares së Kuvendit.
Kryetarja e kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se do të kërkon nga Komisioni për Legjislacion që ta trajtojë edhe çështjet e rregullores dhe të konstaton në qoftë se fjala “Koti” është shkelje apo gjuhë jo parlamentare.
“Në momentin që ai Komision e konstaton një gjë të tillë, atëherë unë do të kem mundësi që t’ia ndaloj deputetëve që ta përdorin. Por, në të njëjtën kohë do të kërkojë, sepse kishte këtu më shumë se 20 dëshmitarë që ta konstatoj në qoftë se bërtitma e juaj në raport me mua, kur më thatë: “A je normal” të konstatohet se a është shkelje apo jo. Sepse, duhet të respektohet autoriteti i kryetares së kuvendit, e filloni bëjnë këtë së pari. Pra, o të kërkoj nga komisioni përkatës që ta shqyrtoj këtë çështje… Meqenëse unë nuk po dua ta bëjë interpretimin final, në qoftë se fjala “Koti” është shkelja parlamentare apo jo, atëherë unë do të kërkoj nga Komisioni që ta bëj këtë interpretim dhe nëse komisioni përkatës konstaton që ajo fjalë është shkelje si mbiemër i individit atëherë natyrisht që unë prej asaj seance e tutje nuk do ta ndaloj ”, theksoi Osmani.
Në këtë debat u përfshi edhe nënkryetari i Kuvendit nga PDK, Memli Krasniqi, i cili tha se qeveri koti janë është edhe ajo në mes LVV dhe LDK-së
“Realisht qeveri kot është edhe kjo edhe ajo para kësaj. Qaj definicioni i fjalorit shqip sidomos qeverisë së LVV dhe LDK u përshtatet më shumë sesa qeverisë së LDK-së me të tjerët”, tha ai.
Debati për marrëveshjet ndërkombëtare ende po vazhdon.