24-04-2024

Fluks i madh i qytetarëve, Policia e Kosovës bllokon Suharekën

Me lehtësimin e masave, sipas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili filloj të zbatohet të hënën e 4 majit, edhe qytetarët filluan të ndjehen më të relaksuar, duke dalë në rrugë, me raste madje edhe pa dorëza e maska mbrojtëse.

Si në shumë qytete ashtu dhe Suharekë u pa një numër i madh qytetarësh të cilët dilnin nëpër rrugë, teksa nxiti edhe reagim e shqetësim tek institucionet që po përpiqen ta menaxhojnë sa më mirë gjendjen me pandeminë COVID-19.

E të martën si në qytet ashtu edhe në hyrje-dalje u pa një numër i madh i patrollave policore statike që kontrollonin lëvizjet e qytetarëve dhe respektimin e masave mbrojtëse.

I kontaktuar nga SuharekaOnline komandanti i stacionit policor në Suharekë, Afrim Sylaj, ka treguar se shtimi i patrollave dhe rritja e kontrolleve ka ardhur pasiqë me daljen e Suharekës nga karantina nga ana e qytetarëve është keqkuptuar.

“Po këto masa të kontrollit dhe rritja e patrullimit si në hyrje-dalje, në qytet dhe në parqe të ndryshme ka ardhur pasiqë shumë qytetarë e kanë keqkuptuar daljen e Suharekës nga karantina. Duhet të jemi të qartë se masat për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve ende vlejnë dhe duhet zbatuar vendimet e institucioneve përkatëse” ka thënë Sylaj.

Gjithashu komandanti ka falënderuar qytetarët për kulturën e lartë të treguar gjatë kësaj kohe dhe ka apeluar qytetarët që edhe për pak kohë të respektojnë orarin e lëvizjes, përdorimin e masave mbrojtëse dhe udhëzimeve të institutit.

Për numrin e madh të qytetarëve të hënën ka reaguar edhe IKSHPK-ja.

“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandime të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike. Ju lutemi të keni kujdes sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve. Luten institucionet për mbajtjen e rendit dhe inspektoratet për angazhim të shtuar gjatë ditëve në vijim”, shkruan IKSHPK.

Asnjë koment

Comments are closed.