26-04-2024

Formimi i Komisionit për drejtorë, sinjal për pikëkthesë në shkollat e Prizrenit

32 shkolla të Komunës së Prizrenit apo më tepër se gjysma e tyre, aktualisht janë në menaxhim të ushtruesve të detyrës, disa prej të cilëve kanë shkelje të disafishtë ligjore, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Kuvendi i Komunës (KK) së Prizrenit, një ditë më parë votoi Komisionin përzgjedhës për intervistimin e kandidatëve për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë shkollash, që gati prej dy vitesh refuzohej nga organi më i lartë komunal, gjatë ish-qeverisjes së kaluar të Mytaher Haskukës.

Drejtoresha për Arsim në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj, në propozimin para anëtarëve të KK-së ka deklaruar se është e pamundur të funksionojë mirëfilli sistemi arsimor në këtë pozicion. “Konkursi do të shpallet sipas afateve ligjore të parapara dhe do të ketë transparencë të procesit”, ka thënë ajo.

Nga mbi 50 shkolla publike, 32 drejtorë dhe 6 zv/drejtorë janë ushtrues detyre. Disa fare nuk kanë kaluar nëpër konkurs, meqenëse vetëm janë emëruar nga ish-kryetari Haskuka, i cili humbi zgjedhjet e fundit lokale, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Përmes konkursit pritet të zgjedhet po ashtu edhe menaxheri i çerdhes publike “11 Marsi”. KK-ja ka zgjedhur katër komisione, dy prej të cilëve për shkollat në gjuhën shqipe dhe atë për komunitetet boshnjake e turke. Sipas ligjit,  paneli intervistues përbëhet  nga një përfaqësues prej Drejtorisë së Arsimit dhe shoqërisë civile, ndërsa një përfaqësues pritet të dërgohet nga MASHT-i.

Anëtari i KK-së nga opozita, Karafil Haxhillari (VV), i cili pas leximit të jetëshkrimit të prezantuar të panelistëve, tha se në disa raste “lë për të dëshiruar”, kërkoi që procesi të jetë transparentë.

Ish-qeverisjen lokale e pati karakterizuar kryesisht menaxhimi  i shkollave me ushtrues detyre të menaxherëve,  por pozitat nuk ishin të sigurta, meqenëse procesi nuk ka shkuar përmes konkursit, e madje as kualifikimeve adekuate.

Padyshim, që kjo situatë është reflektuar në shumicën e institucioneve edukative, të cilat janë ngarkuar me honorare për shumë mësimdhënës për shkak të shumë zëvendësimeve. Ka u.d drejtorë e zv/drejtorë që marrin honorar, ( mbi 700 euro) duke ushtruar dy pozita njëkohësisht. Raste të tilla kanë ndodhur edhe me mësimdhënës, kryesisht të preferuar të menaxherëve, për çka sipas një burimi, së paku në një shkollë të mesme ka pasur edhe reagime.

Aktualisht sipas disa burimeve nga anëtarë sindikal, ka shkolla që përballen me mungesë të ngrohjes, sikur në shf “Lekë Dukagjini”.

Për më keq disa drejtorë ishin përfshirë në fushatën e fundit zgjedhore, ndonëse kjo nuk lejohet për shërbyes civil, duke shprehur haptas preferencat në rrjetet sociale, me fotografi e mbishkrime për një mandat të ri të Haskukës, duke shkruar “+ 4 Myta”. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.