Fotografi të rralla të hebrenjve që u strehuan në Prishtinë – 7 vjeçari e ruajti si kujtim minidilin me shqiponjë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit, kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës duke thënë se kjo tregon sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.

“Një relikte e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7-vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin ‘Kujtim nga Shqipnia’”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se “Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar ‘Kujtimi nga Shqipnia’ dhe shqiptarët në historinë e trishtuar të Holokaustit”.
“Plot 55 vjet më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova. Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët”, ka shkruar Kurti.

