05-05-2024

“Misteri” i komunave paralele që u mbyllen në Dragash, flet kryetari Xheladini

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dje kanë marrë pjesë në aksionin e mbylljes së katër komunave paralele që operonin ilegalisht në Vranisht të Dragashit.

Ministri Krasniqi deklaroi dje se në këtë fshat, objekti “kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit”.

Lidhur me këtë, kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, deklaroi për Indeksonline se nuk ishte fare në dijeni as për aksionin e organeve qendrore e as për punën të cilën kryente ky objekt.

“Unë nuk kam qenë fare i informuar për këtë aksion. Sa dini ju, aq di edhe unë. Aty është një objekt, por ndoshta ka luajtur funksion për katër komuna. Nuk e di dhe nuk kemi kurrfarë informacionesh. Unë, si kryetar i komunës, s’kam pasë informacion që do të ndodhë kjo dhe nuk kam pasur informacion që aty kryhen shërbime për katër komuna. Edhe pse aksioni është kryer në territorin e komunës së Dragashit, ku unë jam kryetar, nuk kam qenë i informuar as kur ka filluar aksioni, as kur ka përfunduar dhe nuk dijmë se çka kanë gjetë e as çka kanë marrë” ka thënë Xheladini.

Ai thotë se ka qenë e ditur nga të gjithë që ka ekzistuar një objekt i tillë që nga koha e pasluftës në Dragash, por që askush nuk e ka ditur se nga ky objekt është operuar ilegalisht për strukturat paralele të katër komunave.

“Që ekzistojnë komuna paralele në fshatin Vranisht, ajo ka funksionu prej pas luftës. Ne e kemi gjetë. Unë që dy vite jam kryetar i komunës dhe për atë e ka ditë edhe Qeveria edhe kryeministri. E ka ditë edhe Presidenca. Nuk ka qenë në kompetencat e mia sepse unë nuk e kontrolloj as policinë, as AKI-në, as prokurorinë, as gjykatën e as Njësinë Speciale. Kjo nuk ka qenë punë e imja. Në komunën tonë funksionojnë të gjitha ligjet e Kosovës dhe punojmë bazuar në ato ligje” shtoi Xheladini.

Kryetari i Dragashit shtoi se as në takimet me Qeverinë nuk i kanë thënë ndonjëherë që në atë objekt kryhen shërbime të tilla.

“Deri më sot, asnjëherë, asnjë informacion dhe as në takimet me strukturat e Qeverisë dhe mbrojtjes, as me ato të policisë, mu nuk më kanë thënë që në atë objekt kryhen shërbime për katër komuna. E kanë ditë të gjithë që ekziston një komunë paralele, por që kryhet shërbimi për katër komuna unë për herë të parë kam dëgjuar tani për të” përfundoi Xheladini./Indeksonline/

 

Asnjë koment

Comments are closed.