Fshati i bukur i Prizrenit historik, atraksion për secilin që e viziton (foto)
Korisha, një fshat me rreth 6000 mijë banorë është kthyer në një vend atraktiv për vizitorë jo vetëm të Prizrenit, pas një investimi rreth 70 mijë eurosh, në natyrën e bukur pak metra larg qendrës së fshatit.
Hajriz Kabashi po kujdeset për secilin trung që është mbjell tash së fundi afër branave në Korishë të Prizrenit.
Lizi, siç e njeh i gjithë fshati është ekonomist, i cili merret me kontabilitet, por po gjen kohë që vullnetarisht të kujdeset për ruajtjen e këtyre trungjeve.
Hajriz Kabashi, ekonomist nga Korisha
Ai, tregon për InfoGlobin se kësaj bukurie natyrore i janë shtuar edhe investimet e komunës, e cila ka krijuar një atraksion, të cilin po e shijojnë qytetarët.
“Komuna ka investuar, por kjo duhet edhe të mirëmbahet…qe 6-7 herë po i ujis trungujt prejse janë mbjellë, fëmijët po mendojnë se jam punëtor”, thotë Kabashi.
Lizi tregon se në këtë natyrë afër branave, po vijnë edhe vizitorë nga Prizreni e vendet tjera, e jo vetëm banorët e Korishës.
E kjo natyrë e bukur nuk është më larg se 600-700 metra nga qendra e fshatit.
“Disa po e kërkojnë rrugën me kalldrëm, por duhet parë se çka i përshtatet natyrës”, thotë Kabashi.
Tri brana derdhen poshtë lumit, i tëri i rrethuar me drunj e shkurre të shumta siç i ka falë natyra. Këto rrjedha uji po janë atraksion i vërtetë për banorët, të cilët po e kalojnë kohën e lirë aty.
Një investim prej rreth 70 mijë eurosh në infrastrukturë ka bërë që këtij vendi t’i shtohet edhe më shumë vlera.
Haxhi Muçaj, thotë për InfoGlobin se kjo ka qenë befasi për banorët.
“Po na duket ëndërr, është diçka që e meriton ky vend, sepse si vendi, si trimat, si uji kanë vlerë në këtë vend”, thotë Muçaj.
Të rinjtë e fshatit përmes faqes së tyre në Facebook iu kanë bërë thirrje të gjithë banorëve që të ruajnë mjedisin dhe të kujdesen për pastërtinë e kësaj bukurie natyrore.
Kjo hapësirë prej 18.771 km2 ka nisur të rregullohet nga Komuna e Prizrenit, vitin e kaluar në bazë të kërkesës së drejtorisë së turizmit dhe zhvillimit ekonomik.
“Hapësirat e projektuara në kuadër të këtij lokacioni janë: Skarpatet e lumit të punuara me gurë, Shtigjet për këmbësorë, ujëvara me akumulues të ujit, këndet për pushime, gjelbërimi i lartë dhe i ulët”, thonë zyrtarët e komunës së Prizrenit për InfoGlobin.
Gjithashtu, komuna në këtë zonë ka bërë edhe ndërtimin e murit me gur, renditja e të cilave është realizuar në atë mënyrë që betoni nga ana e skarpateve nuk vërehet nga gurët, si dhe janë vendos pushimore për vizitorët.
Edhe mbrëmjet në këtë vend duken shumë të bukura. Ata që më së shumti po e shijojnë këtë hapësirë janë fëmijët.
Edhe komuna thotë se qëllimi i tyre ka qenë që edhe kjo zonë të krijohet hapësirë e turizmit rural, krahas shumë bukurive tjera natyrore që ka Kosova.
Korisha, është një fshat i madh, 5 km larg Prizrenit, i cili ka rreth 6 mijë banorë apo rreth 900 shtëpi, derisa një pjesë e madhe e banorëve jetojnë në diasporë, e që janë japin kontribut të madh për fshatin./InfoGlobi