Fundi i mandatit, Haskuka vazhdon me shkelje ligjore, merr përsipër emërime dhe shkarkime të drejtorëve të shkollave
Pjesën e mbetur të mandatit kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duket se do ta bëjë i vetmuar në qeverisje, pasi me gjasë nuk do t’i ketë partnerët e koalicionit me të cilët e filloi drejtimin e Komunës.
Drejtoria e Arsimit ka qenë njëra ndër sfidat të cilat Haskuka në asnjë momemnt nuk arrit të gjente “formulën e suksesit”, ndërsa qeverisja e tij ka ngelur në këtë drejtim.
Para se të largohet nga qeverisja e Prizrenit, Haskuka në hapat e tij të fundit në bashkëpunim me drejtoreshën e Arsimit Xhemile Thaçi – Vezgishi kanë ndërmarrë disa hapa duke kryer shkelje ligjore të Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe Udhëzimin Administrativ për detyrat përgjegjësitë dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendës drejtorit, të Institucionit Publik Edukativo-Arsimor dhe aftësues parauniversitar.
LAJME365 ka siguruar një nga këto vendime që janë dërguar nëpërmjet zarfeve, duke emëruar ushtrues detyre pa hapur konkurs fare.
Fillimisht nëpërmjet një njoftimi të pazakontë dhe kundër të gjitha procedurave, kryetari i Komunës Mytaher Haskuka i ka dërguar një “Vendim” drejtorëve të shkollave, ku në pikën 3 thuhet se vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit ndërsa në Këshillën juridike i jep afat prej 30 ditësh për ankesë.
Si arsyetim e këtyre vendimeve thuhet se është skadimi i kontratës.
Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar, Udhëzimit Administrativ 15/2019, parashihet se shpallja e konkursit për drejtor të shkollave duhet të bëhet 3 muaj para skadimit të kontratës ose të vazhdimit të kontratës, bazuar në performancën e treguar të menaxherëve të shkollave.
Haskuka në mungesë të partnerëve të qeverisjes dhe në mungesë të votave në Kuvendin Komunal, nuk ka arritur të formojë Komisionin i cili udhëheq me këto procedura, andaj siç duket ka vendosur “ta merr situatën në dorë” dhe t’i kryejë vet punët sipas dëshirës.
LAJME365 mëson se Haskuka në së paku 10 shkolla ka vepruar në këtë formë duke larguar nga detyra 6 -7 drejtor dhe 5 zëvendësdrejtor.
Gjithashtu Haskuka nuk ka arsyetuar aspak emërimet në pozitat ushtrues detyre, e që sipas Neni 35 pika 5 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar thuhet se “Kur bëhet përzgjedhja midis një apo më shumë kandidatëve për një post menaxhues ose për mësimdhënës, merren për bazë kushtet, si janë: arsimimi i secilit kandidat, përvoja, kualifikimet për pozitë dhe nevojat që do të plotësojë ky emërim. Nëse asnjëri nga kandidatët nuk i plotëson kushtet për kualifikim të përcaktuar në këtë ligj, mund të bëhet një emërim i përkohshëm. Emërimet e tilla përfundojnë në ditën e fundit të vitit shkollor gjatë të cilit është bërë emërimi”.
Shkelje tjera ligjore që dyshohet të kenë ndodhur në këtë proces është mos respektimi i Ligjir për Shërbimin Civil ku Neni 30 thotë se “ Zëvendësimi i nëpunësit civil në rast të mungesës, apo në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj”, ndërsa në rastin konkret në disa shkolla të mesme Haskuka ka emëruar ushtrues detyrë tash e dy vite.
Lajme365 ka identifikuar dhe në vazhdimësi ka raportuar për tenderë të dyshimtë dhe shkelje ligjore në Komunën e Prizrenit.
Lexo edhe: