23-10-2019

Gara me automjete në malet e Prevallës

Shumë nga garuesit kanë bërë investime të mëdha në veturat e tyre dhe me padurim e kanë pritur garën e parë në këtë disiplinë, e cila është më atraktive dhe me më shumë adrenalinë.

Bardhyl Canolli, Liridon Kalenderi, Valdet Kaçandolli, Blerand Hasanaj, Gazmend Demolli dhe të tjerë synojnë kampionat të suksesshëm, madje nuk i fshehin ambiciet edhe për suksese në gara ndërkombëtare.

Paraqitja në garë bëhet të shtunën nga ora 09:00-10:00 për të vazhduar me verifikimin e dokumentacionit dhe kontrollimin teknik.

Pas procedurave tjera të zakonshme, vozitja e parë provuese është në orën 12:30, ndërsa përfundimi i aktivitetit për të shtunën është paraparë në orën 16:00.

Gara zyrtare fillon të dielën në orën 12:00, ndërsa përfundimi po ashtu pritet të jetë rreth orës 16:00.

Federata e Auto Sportit e Kosovës dhe Auto Klubi Prizreni D&G i kanë marrë të gjitha masat që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë, ndërsa për të ndodhur kjo, do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve.

FASJ kërkon mirëkuptim nga qytetarët që aksi rrugor ku zhvillohet gara do të jetë i mbyllur për veturat civile, por gjithsesi do të ketë intervale kohore kur do të mund të kalojnë këtë pjesë të rrugës.

Asnjë koment

Comments are closed.