23-11-2024

“Gara për titull e hapur”, Llapi humb, Ballkani rikthehet në krye të Superligës

Skuadra e Llapit ka pësuar humbje minimale 0:1 ndaj Dritës në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Superligën e Kosovës, derisa Ballkani triumfoi 2-0 në shtëpi përballë Lirisë së Prizrenit.

Trajneri i klubit nga Podujeva, Tahir Batatina tha pas ndeshjes se skuadra e tij nuk është dorëzuar për titull kampion.

“Në derbi vendosin detajet. Të dy skuadrat luftuan për pikë, pasi të dyja kishin nevojë për pikë. Në pjesën e parë nuk ishim të vëmendshëm dhe pranuam gol”.

“Në pjesën e dytë ne e bëmë maksimumin, bëra ndryshime në skenë, rrezikova. Kishim rastet tona me Selimin për të finalizuar, por ky është futbolli. Nuk është dashur të bëhej ky gabim”.

“Deri në fund, gara për titull do të jetë e hapur”, ka thënë Batatina pas ndeshjes.

Me këtë humbje, Llapi humb pozitën e parë, pasi Ballkani shënoi fitore ndaj Lirisë me rezultatin 2:0.

Klubi nga Suhareka tani shkon në pozitën e parë me 56 pikë, kurse Llapi bie në pozitën e dytë me 54 pikë, aq ka edhe Drita./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.