16-04-2024

“Gati Rektori…”, A do të përfundojë odisejada për zgjedhjen e të parit të UPZ-së?  

Javën e ardhshme pritet zgjedhja e Rektorit të Universitetit Publik “Ukshin Hoti” në Prizren, por cili do ta marrë këtë pozitë dhe a mund të përfundojë odisejada për zgjedhjen e të parit të institucionit më të lartë edukativ, në qendrën e dytë për nga madhësia në vend.

Sidoqoftë,  nëse i referohemi një paralajmërimi të Artan Nimanit, njërit nga anëtarët e Këshillit Drejtues, njëherësh profesor në UPZ, atëherë del se tashmë kësaj çështje i ka ardhur fundi.

Në një postim të shoqëruar edhe me një foto, ku bashkë me të ndodhen edhe pretendentët kryesor për këtë post: Ismet Temaj e Kadri Kryeziu, ai ka shkruar “Gati…Rektori…”, por nuk e ka përmendur emrin e tij, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Zgjedhja e rektorit të UPZ-së ka nisur para një viti, por është shtyrë disa herë. Kjo ka ndodhur dy herë edhe javën që po e lëmë pas.

Përpos Temajt, që aktualisht është ushtrues detyre i Rektorit dhe Kadri Kryeziu (aktualisht Prorektor), për këtë pozitë kanë konkurruar edhe Naser Pajaziti, Bekim Berisha, si dhe Hamdi Hoti.

Statuti i UPZ-së parasheh që rektori të zgjedhet me 2/3 e votave të nevojshme. Mbledhja e ardhshme e KD-së, sipas të gjitha gjasave do të mbahet të martën, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Në maj të vitit të kaluar Ismet Temaj ishte zgjedhur për Rektor, por mbledhja në të cilën ishte bërë zgjedhja e tij u kontestua, për shkak të mungesës së kuorumit të KD dhe çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në dhjetor 2018, KD i këtij institucioni ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, duke zgjedhur Temajn si ushtrues detyre.

UPZ është themeluar në vitin 2010, ndërsa ka rreth 10 mijë studentë. Pas rektorit ndërkombëtar themelues, këtë detyrë deri më tash e kanë kryer disa rektorë dhe ushtrues detyre. I fundit në këtë pozitë ishte Prof. Dr. Ramë Vataj./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.