Gërvallës i shtohen gafat
Donika Gërvalla është bërë tabelë qitjeje për opozitarët.
Këta të fundit po e kritikojnë kryediplomaten për gjuhën e saj, siç cilësojnë, kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një intervistë të dhënë për mediumin zviceran “Neue Zürcher Zeitung”, njofton Klankosova.tv.
Por ministrja e Punëve të Jashtme reagoi dy herë brenda një kohe të shkurtër, duke mohuar të ketë thënë se ushtarët e UÇK-së vranë pas lufte serbë, romë e ish-rivalë.
Kjo nuk është hera e parë që shefja e diplomacisë kosovare përballet me akuzat lidhur me këtë temë.
Në njërën nga seancat e Kuvendit ndodhën edhe përplasje mes deputetëve të pushtetit me të opozitës, pas debatit për Gjykatën Speciale dhe deklaratave për bashkëpunim me këtë institucion.
Këto zhvillime nxitën më pas edhe aksione simbolike pran objektit të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Me kritika për përmbajtjet në deklarata, Gërvalla-Shwarz u përball qysh në fillim të mandatit, kur tha se marrëveshja finale Prishtinë-Beograd nuk duhet ta cenojë kushtetutshmërinë dhe sovranitetin e të dyja palëve. Këtu harroi se Serbia, pjesë të kushtetutës e ka Kosovën.
Si e panevojshme u pa edhe ndërlidhja që Gërvalla bëri mes të bëmave të Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore me gjenocidin serb në Kosovë.
“Vetëm 80 vjet më parë, Gjermania naziste kishte filluar bombardimin e Beogradit dhe kishte bërë gjenocid ndaj serbëve, hebrenjve dhe të tjerëve, përfshirë këtu edhe popullin shqiptar, që u ngrit kundër fashizmit. Më lejoni të pyes sinqerisht: Çfarë është ajo që i shtyn viktimat e gjenocidit dhe fashizmit, që edhe vetë të bëjnë gjenocid, të përfundojnë në fashizëm dhe në fund të mos përballen me përgjegjësitë pas kësaj?”, kishte deklaruar Gërvalla në mbledhjen virtuale të Këshillit të Sigurimit.
Ministrja nuk i shpëtoi as gabimeve protokollare e teknike. Në takimin e nivelit të lartë, të hënën në mbrëmje, në tavolinë ishte vendosur vetëm flamurin e Bashkimit Evropian, të cilin e përfaqëson Miroslav Lajçak, ndërsa jo atë amerikan për Mattheë Palmer.
Të njëjtin gabim nuk e bëri në dhomën e konferencave, ku ishte i vendosur simboli i Shteteve të Bashkuara.