08-05-2024

PDK-ja në Prizren akuzon VV-në për “vjedhje të meritave”

Partia Demokratike e Kosovës e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për siç ka thënë ajo, kapitalizimin e projekteve të PDK-së.

Sipas një njoftimi dërguar mediave, PDK-ja ka çerdhja “11 Marsi” e cila u përurua dje nga kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ishte nisur para marrjes së mandatit të VV-së.

“Në projektligjin e buxhetit për vitin 2017, janë ndarë mjete nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga IPA-2, ku kostoja finale ka qenë 1 milion e 800 mijë euro për ndërtimin e kopshteve, çerdheve publike në Prizren, për të cilën është arritur edhe një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Komunës së Prizrenit në atë kohë të udhëhequr nga PDK.

Të dyja këto projekte kanë filluar së realizuari gjatë mandatit 2014-2018 të PDK-së, që i bie se përveç kapitalizimit të këtyre projekteve të PDK-së, z. Haskuka krejt çka ka premtuar për ndërtimin e çerdheve, kujdesin e shtuar ndaj edukimit të hershëm, janë vetëm premtime fushatash e asgjë tjetër më shumë”, thuhet në njoftim.

PDK-ja ka konsideruar se Haskuka e Kurti duhet të kërkojnë falje nga qytetarët e Prizrenit, për siç thotë ajo, mosrealizimin e asnjë premtimi, e në veçanti ato të çerdheve publike, për të cilat PDK-ja thotë se kishte premtuar me shumë pompozitet se gjatë mandatit 4-vjeçar do të ndërtojë 4 çerdhe publike të fëmijëve, që do të kenë kosto të përballueshme për qytetarët.

“Edhe tani në përfundim të mandatit ky mbetet vetëm një premtim, që u keqpërdor besimi i tyre politik, duke manipuluar qytetarët për të drejtën e tyre për edukimin e hershëm të fëmijëve të tyre, e drejtë fundamentale që i takon secilit fëmijë në një vend normal e demokratik. Hipokrizia juaj, mungesa e kapaciteteve profesionale, skandalet e qeverisjes suaj, dështimet dhe shkatërrimin që i bëre qytetit, nuk mund të fshihesh pas prerjes së disa shiritave. Qytetarët jo vetëm që e dijnë, por tanimë e kanë konstatuar se projektet e mira për Prizrenin, gjithmonë kanë filluar dhe janë realizuar nga qeverisja e PDK-së, si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.