24-09-2020

Gjermania e nis hapjen e dyqaneve pas disa javëve në karantinë

Gjermania të hënën do ta bëjë hapin e parë drejt largimit të kufizimeve për shkak të pandemisë. Së pari do të hapen dyqanet e vogla, përfshirë dyqanet për shitjen e rrobave. Ky vendim erdhi pasi politikanët thanë se koronavirusi është nën kontroll.

Shumica e dyqaneve që janë më të vogla se 800 metra katrorë do të kenë mundësi t’i mirëpresin blerësit përsëri pas një muaji të izolimit. Kjo është faza e parë e pakësimit të masave që u morën kundër përhapjes së koronavirusit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Kancelarja Angela Merkel dhe guvernatorët e shteteve javën e kaluar njoftuan për rihapjen e bizneseve, por këtë e bënë me kujdes, duke paralajmëruar se vendimi është vetëm një hap i vogël, që duhet të përcillet me vigjilencë.

Ndonëse dyqanet do të hapen në të gjitha shtetet gjermane, secila prej tyre pritet që masat t’i zbatojë në kohështrirje me ndryshime të vogla. Për shembull, masat në Berlin pritet të largohen me një ritëm pak më të ngadalshëm.

Gjermania është një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi në Evropë, por edhe njëra prej atyre që kanë reaguar më së shpejti. Deri të dielën, në këtë shtet u regjistruan rreth 140 mijë të infektuar dhe 4,294 të vdekur.

Asnjë koment

Comments are closed.