Gjermania pritet të mbetet në izolim deri në këtë datë
Gjermania po planifikon që ta zgjasë afatin e masave kufizuese deri më 14 mars, thuhet në draftin e marrëveshjes për bisedime mes kancelares Angela Merkel dhe udhëheqësve rajonalë të 16 republikave gjermane.
Numri i rasteve të reja ditore të koronavirusit në Gjermani ka rënë ditëve të fundit, duke nxitur disa udhëheqës rajonalë që të kërkojnë afat kohor për lehtësimin e masave, por tashmë janë shtuar shqetësimet rreth ndikimit të varianteve më ngjitëse të virusit në numrin e rasteve.
“Kemi një gjendje shumë të brishtë. Ne mund të shohim në vende të tjera, si Portugalia, se sa shpejt mund të ndryshojë rrjedha”, tha Winfried Kretschmann, kryeministër i republikës jugore, Baden-Wuerttemberg.
Draft-dokumenti për bisedimet që do të fillojnë të mërkurën pasdite thotë se sallonet e floktarëve mund të rihapen nën kushte të rrepta nga 1 marsi. Drafti mund të ndryshohet, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kancelarja Merkel ka bërë të qartë se shkollat fillore dhe çerdhet e fëmijëve do të jenë prioritet në secilin rast të lehtësimit të masave kufizuese. Në draft-dokument thuhet se rajonet mund të vendosin veç e veç për mënyrën e rifillimit të mësimit në shkolla.
Ndryshe, Gjermania të mërkurën regjistroi 8.072 raste të reja të koronavirusit dhe 813 të vdekur për 24 orë. Që nga fillimi i pandemisë, Gjermania ka regjistruar 62.969 viktima të Covid-19.