24-04-2024

Gjimnazi i Prizrenit pati profesorin legjendë Qazim Berisha, ja si e përshkruante atë veprimtari, Bajram Kurti

Profesori i njohur Qazim Berisha u lind në Pejë më 1924. Ai diplomoi në Fakultetin Filozofik dega e romanistikës në Zagreb dhe punoi si gazetar në Radio Zagreb.

Në vitin 1953 përfundimisht kthehet në Kosovë dhe punësohet në Gjimnazin e Prizrenit.

Për punën e tij të suksesshme në fushë të arsimit dhe të kulturës në vitin 1979, nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit, u nderua me shpërblimin tradicional të asaj kohe “17 Nëntori”.

Profesor Berisha ka qenë njeri i respektuar, ndërsa për të ka shkruar edhe profesori dhe veprimtari i njohur prizrenas Bajram Kurti:

Ja shkrimi i tij pa ndërhyrje:

“Në plejadën e ndritur të pishtarëve të arsimit dhe shkollës shqipe një vend me rëndësi të posaçme zë edhe profesor Qazim Berisha, jeta dhe vepra heroike e të cilit ishte e tëra në shërbim të Atdheut. Kujtimet e mia për profesorin liridashës janë të shumta e të paharrueshme sepse që nga vitet e shtatëdhjeta (kur profesori Qazim ligjëronte në Gjimnazin e Prizrenit, e unë në Shkollën Teknike dhe Normale) e deri në ditën kur ai u nda prej nesh, për të mos vdekur kurrë, na lidhi ideali revolucionar.

Shokët më kishin folur shumë për të, dhe mezi prisja ta takoja profesorin dritëdhënës. Dhe që në takimin e parë më bëri përshtypje pamja e tij e jashtme, trupi i tij mesatar dhe fytyra e qeshur, me sy shqiponje e shikim depërtues, me fytyrë pak të zeshkët, i veshur pa bujë, i pastër dhe elegant. Dëgjonte i përqendruar. Kur e merrte fjalën, më bënte përshtypje të thellë për njohuritë enciklopedike që kishte për probleme e fusha të ndryshme të dijes. Me sjelljet dhe qëndrimin e tij të lirshëm, me fjalën e ëmbël dhe plot dashamirësi, më la përshtypjen e një intelektuali largpamës që unë nuk kisha pasur rastin të njihja edhe ndonjë të tillë si Ai deri atëherë. I kam të pashlyera në zemër e në mendje ato takime, ato biseda të ngrohta e dashamirëse, ato çaste e ditë aq të bukura në jetën time. Isha plotësisht dakord me të për të gjitha çështjet.

Me kalimin e viteve shtohej edhe nderimi dhe dashuria për mësuesin tim të shtrenjtë, dhe më dukej vetja tepër i vogël para këtij eruditi kolosal, dhe me shumë ndrojtje merrja guximin t’i shtroja edhe ndonjë pyetje, sepse Ai na i thoshte të tërat, edhe pa e pyetur, dhe më bëhej sikur m’i lexonte mendimet se çfarë do ta pyesja, dhe ligjëronte pa u lodhur me orë të tëra. Por ku mund t’i mbaja në kokë gjithë ato dije që na i jepte, dhe pas një kohe fillova të mbaja edhe shënime, por me lejen e tij, për gjithë ato ligjërime që na i mbante, sepse e dija se një ditë kujtimet do më ikin nga mendja, si zogu që të ikën nga dora, e nuk mund t’i kapësh më. I merrja këto ligjërime të tij nga dita në ditë, ashtu siç e thith bleta nektarin nga lulet, dhe kështu sa herë etesha për dije, shpalosja këto dorëshkrime, dhe pothuaj përherë isha i pandarë nga kjo enciklopedi e gjallë. Kështu mësuesi Qazim u fut në qenien time dhe shëtiste nëpër damarët e gjakut tim, nëpër mendjen time plot të panjohura. Të tillë si unë profesori kishte shumë nxënës, në ato dyzet gjenerata nxënësish e studentësh.

Me fundin e tij tragjik, nën oshtimën e breshërive të granatimeve, me ç’rast xhamat e dritareve ishin bërë copë e thërrime, më 6 prill 1999, zemra e madhe e profesorit pushoi së rrahuri – ai e fitoi përjetësinë. Në mesin tonë nuk e kishim më mësuesin e palodhshëm, i cili na kishe mëkuar siç e mëkon mëma fëmijën e saj të mitur për vite të tëra. Por mungesën e Tij fizike unë e plotësoja duke shfletuar dhe sistemuar dorëshkrimet që kisha marrë për vite të tëra. Dhe këtë punë arrita ta bëja deri më datën 5 qershor 1999, kur hordhitë gjakpirëse të soldateskës serbe u futën në banesën time përdhese, dhe të prangosur, nën tytat e automatikëve, më nisën për në burgun e  Prizrenit.

Bashkë me mua  xhelatët konfiskuan mijëra dorëshkrime, libra, dokumente, fotografi, videokaseta, vëllimet e dorëshkrimeve që i kisha marrë nga profesori Qazim, dhe ato që kisha shkruar për katër vëllimet e librave – GJAKU I LIRISË, dhe çdo gjë tjetër që ishte pjesë e jetës sime, në burgun kolektiv me emrin Kosovë. Por, një shpresë të madhe e kisha në faktin se të paktën do shpëtonin nga dora gjakatare ato pak shënime që kisha vendosur në bodrumin e banesës, ku soldateska barbare nuk kishte shkuar, pasi kishte mbushur dy kamionë me libra e dokumentacion të llojllojshëm, dhe na kishte nisur drejt burgut skëterrë.

Pasi kisha mbijetuar skëterrën fashiste në burgun-varr, pa ujë e pa bukë, deri më 9 qershor 1999, pasi kisha triumfuar mbi vdekjen, dhe kur thundrat e gjakpirëseve kishin ikur nga Kosova, në çastin kur më 16 qershor u ktheva i gjallë në banesë, dhe pasi përqafova nënën time 90 vjeçe dhe vajzën time, për të cilat ende nuk dija se a kanë shpëtuar gjallë, u nisa drejt bodrumit, dhe për befasinë time i gjeta ato pak dorëshkrime nga ligjëratat e profesorit Qazim Berisha, e që nuk përbënin as 10% të te gjitha atyre vëllimeve që kishin konfiskuar xhelatët. Kështu shpëtuan si hiri i zogut feniks ato pak shkrime, si simbol feniksian i ringjalljes nga katrahura, për t’u shpënë brezave ato pak thërrime dijesh, ato rreze drite, ato shkreptima diturie, pjesë e pavdekësisë së profesorit – simbol qëndrese e flakadan lirie.

Edhe sot, në dhjetëvjetorin e përjetësisë së profesorit Qazim Berisha, më pushton ndjenja e përgjegjësisë dhe detyrimit për t’ia kthyer një pjesë të vogël të borxhit, duke ia lënë në dispozicion lexuesit të nderuar këto pak dorëshkrime të ligjërimeve të cilat i shpëtuan zjarrit të barbarisë serbe, por gjithnjë me bindjen se nuk e kam arritur të realizoi as të njëmijtën pjesë të asaj që e meriton ky kolos dritëdhënës. Me siguri këto fragmente dorëshkrimi do të rizgjojnë kujtimin e ëmbël për figurën e ndritshme të profesorit Qazim Berisha, dhe sidomos për ata të cilët nuk kanë pasur fatin ta njohin më për së afërmi këtë profesor gjenial të përmasave kombëtare.

Prandaj, është më se e arsyeshme dëshira dhe kërkesa e gjeneratave të reja për të ditur dhe për të mësuar sa më shumë për jetën dhe veprën e simboleve të qëndresës kombëtare, dëshmorëve dhe heronjve të kombit. Aq më tepër kjo dëshirë merr vlera dhe bëhet imperativ i kohës, sidomos sot, kur vlerat tona kombëtare, fitorja e lavdishme e UÇK-së, si dhe gjaku i dëshmorëve, janë vënë në rrezik nga klasa kolaboracioniste, nga ata që dje jo vetëm ishin kundër luftës çlirimtare, por edhe e penguan dhe sabotuan zhvillimin e saj në të gjitha format dhe me të gjitha forcat.

Derisa heronjtë e vërtetë injorohen, në anën tjetër edhe tradhtarët shpallen heronj (ata që i bënë homazhe dhe nderime kriminelëve serbë), dhe në anën tjetër injorohet Adem Jashari dhe heronjtë tjerë të kombit, dhe po përgatiten dosjet për denoncimin e luftëtarëve të UÇK-së dhe dërgohen në Gjykatën e Hagës.

E dihet se heronjtë dhe dëshmorët, me shembullin e tyre, duhet të bëhen simbol frymëzimi, shembuj të lartë vetëmohimi dhe edukimi të brezit të ri. Prandaj, edhe ky libër që e keni në dorë, del në dritë me këtë qëllim fisnik, sepse porosia e madhe e dëshmorëve dhe gjakut të derdhur me shekuj ende nuk është çuar në vend.

Trojet e robëruara shqiptare ende nuk janë çliruar tërësisht dhe po përpëliten në udhëkryq. Fati i tyre vazhdon të jetë i lidhur në rezoluta (si 1244) të padefinuara, të cilat pengojnë pavarësinë e plotë dhe bashkimin kombëtar”. (Pjesë nga libri “Profesor Qazim Berisha – Yll i pashuar në plejadën e heronjve të arsimit dhe edukatës) /sa-kra.ch /GazetaePrizrenit.net

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.