24-11-2024

Gjithçka që ndodhi sot brenda zyrave të OVL-UÇK-së: Pse u arrestua Hysni Gucati

Dërgesat në mënyrë klandestine të dosjeve në zyrat e tyre, Hysni Gucati i quante rrufe. Një rrufe e përjetoi sot, kur rreth 50 policë ndërkombëtarë, të maskuar e të armatosur u hyrën në zyrë organizatës së veteranëve dhe nxorën në pranga kryetarin e saj. Pse u arrestua Hysni Gucati.

Mëngjesin e sotëm, Gazeta Express mori vesh se Tribunali Special ka planifikuar arrestime edhe sot në Kosovë. Rreth orës 11, policët e Eulex-it u lajmëruan. Cak kishin selinë e organizatës së veteranëve të UÇK’së. Pesëdhjetë sosh, të maskuar, e të armatosur, u ngjitën në zyra e OVL-UÇK-së.

Lexo Edhe:

Në një operacioni prej disa orësh, dhjetëra policë të Eulex-it nxorën kreun e organizatës, Hysni Gucati, me pranga në duar.

Por çfarë ndodhi në ato orë brenda objektit te Qafa, në Prishtinë?

Fillimisht, ishte krejt e paqartë se cfarë po bënin policët e Eulex-it brenda zyrave të OVL-së. Policia dhe hetuesit e Prokurorisë së Hagës kanë bastisur disa herë javëeve të fundit këto zyra.

Nënkryetari i OVL-UÇK’së, Nasim Haradinaj  i gatshëm për ta komentuar çdo situatë, i tha Expressit se Eulex-i kishin ardhur për ta arrestuar kryetarin e organizatës, Gucatin.

Ai tha se kryetari tashmë ishte arrestuar brenda zyrave dhe po pritej nga çasti në çast, të transferohej për në Hagë.

Përgjatë kohës kur Gucati qëndronte brenda, dhjetëra policë të Eulex-it tashmë gjendeshin në objekt, e jashtë zyrave rrinin policë të shumtë të Policisë së Kosovës.

Zyrtarisht nuk dihet arsyeja pse Gucati është arrestuar dhe Tribunali Special akoma nuk ka lëshuar ndonjë njoftim. Express ka pyetur Prokurorinë e Hagës për arsyen e bastisjes dhe arrestimit të kreut të veteranëve.

Megjithatë, ndaj Gucatit nuk ka pasur aktakuzë të ngritur nga Haga. Ai madje nuk ka qenë asnjëherë as i intervistuar nga prokurorët e Hagës.

Aludohet se arsyeja mund të jetë çështja e publikimit të dosjeve, që e ka bërë OVL-ja e UÇK-së.

Pas marrjes së Gucatit, reagoi kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, që ka qenë komandant i UÇK’së dhe i gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë.

Haradinaj tha se nuk është dashur të publikoheshin dosjet e Gjykatës Speciale dhe nuk duhet të jepet imazhi sikur Kosova po e pengon drejtësinë.

“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Historia e dosjeve ka nisur para disa javësh, me protagoniste OVL-në e UÇK-së. Udhëheqësit e kësaj organizate thirrnin mediat dhe tregonin se në zyra të tyre po çoheshin vëllime me dokumente nga Gjykata Speciale.

Dosjet e Tribunalit Special konsiderohen konfidenciale dhe madje me ligj dënohet secili zbulim i personave që në cfarëdo forme janë pjesë e hetimeve Prokurorisë së Hagës. Pas secilës herë që OVL-ja publikonte dosje, policë të Eulex-it dhe hetues e Speciales bastisnin zyrat e tyre dhe konfiskonin dosjet. Sot, policia mori edhe Gucatin me vete.

Nga dokumentet që publikoi OVL’ja, e që nuk dihet nëse janë origjinale, u zbuluan emra të dëshmitarëve të mbrojtur, emra të të akuzuarve, llojet e akuzave e shumëçka tjetër. Disa prej tyre u publikuan nga një medium në Shqipëri.

Tribunali Special ka kryer dje arrestimin e parë. Ish-eprori i UÇK’së në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa, është arrestuar dhe transferuar për në Hagë. Prokuroria Speciale ka lëshuar njoftim se arrestimi i tij u bë në bazë të aktakuzës së ngritur.

Sipas familjarëve të Gucatit, atë tashmë e kanë nisur për në Hagë. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.