03-05-2024

Gjykata e Apelit: Posta lidhi marrëveshje të jashtëligjshme me institucionet e Kosovës

AKK-ja ka fituar kontestin gjyqësor me Postën e Kosovës, lidhur me padinë që ia kishin bërë këtij institucioni për shkak se kishin lidhur marrëveshje të jashtëligjshme me institucionet qendrore dhe lokale duke i vendosur në pozita konkurruese ta pafavorshme konkurrentët tjerë. Gazeta Express ka siguruar aktgjykimin.

Gjykata e Apelit ka vendosur në dëm të Postës së Kosovës, lidhur me padinë që kjo e fundit ia kishte bërë Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, për marrëveshjet me institucionet qendrore e lokale, për të cilat AKK-ja kishte dalë me vendim se i kishte vendosur konkurrentët në pozita të pafavorshme konkurruese.

Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar Gazeta Express thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar si të pabazuar kërkesën e paditësit, derisa për këtë nga Posta e Kosovës kishin ushtruar ankesë në Apel.

Apeli ka konstatuar se nga shkresat e lëndës rezulton se Posta me marrëveshjen që kishte pasur me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komunën e Prishtinës, Komunën e Gjilanit, të Gjakovës, si dhe atë të Ferizaj, ishin zbatuar kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese.

AKK-ja kishte kërkuar nga këto institucione që t’i shfuqizojë marrëveshjet e bashkëpunimit me postën.

Nga Posta e Kosovës kishin ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë duke pretenduar se vendimi është joligjor e që i njëjti duhet të anulohet.

“Ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat kanë për qëllim ose mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare relevante e veçanërisht marrëveshjet që zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurruese.”

Apeli e ka refuzuar pretendimin e postës se në shkallë të parë nuk është marrë për bazë fjala përfundimtare e paditësit.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook edhe kreu i AKK-së, Valon Prestreshi.

“Sot, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës pranoj aktgjykimin nga gjykata e apelit, i cili aktgjykim vërteton si të ligjshëm Vendimin e AKK-së kundër Postës së Kosovës e cila kishte lidhur marrëveshje të jashtëligjshme me institucionet qendrore dhe lokale, duke i vendosur konkurrentët tjerë në Pozita të pafavorshme konkurruese!” ka shkruar i njëjti. /GazetaExpress/

Asnjë koment

Comments are closed.