06-05-2024

Gjykata e Beogradit dënon me 56 vjet burgim 7 serbë për krime lufte në Kosovë

Ish-pjesëtari  i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviq u dënua para departamentit special të Gjykatës së Lartë në Beograd me 20 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999 në rrethinën e Pejës në Kosovë.

Ai u dënua se si komandant i brigadës 177 kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se kishte ditur për vrasje e grabitje, raporton N1, transmeton Klankosova.tv.

Aktakuza përshkruan me detaje pushtimin e fshatrave, vrasjet, grabitjet, djegien e shtëpive dhe dëbimin e civilëve në drejtim të Shqipërisë.

Përveç Miladinoviqit, Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet, Abdulah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërsa Llazar Pavloviq, Slavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga dy vjet.

Veljko Koriçanin dhe Milan Ivanoviq u liruan nga akuzat.

Nëntë ish-pjesëtarë të ushtrisë jugosllave u gjykuan për krime lufte të kryera në katër fshatra të Kosovës afër Pejës në prill dhe maj 1999, kur u vranë 118 shqiptarë.

Ata akuzohen për shpërngulje të detyruar dhe vrasje të civilëve shqiptarë gjatë sulmit të ushtrisë serbe në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lybeniq gjatë luftës në Kosovë.

Prokurori Bruno Vekariq kërkoi dënim me 20 vjet burg për Miladinoviqin, Pavloviqin, Sokiqin, Mishiqin dhe Vukoviqin, nga pesë vjet për Kastratoviqin, Bogiçeviqin dhe Koriçaninin dhe tre vjet për Ivanoviqin. Mbrojtja e tyre kërkoi që të gjithë të lirohen.

Gjyqi filloi në vitin 2010, aktgjykimi i parë u dha në vitin 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e rrëzoi atë në vitin 2015.

 

Asnjë koment

Comments are closed.