19-04-2024

Gjykata e Prizrenit dënon ish-inspektorin e hidro-ekonomisë për keqpërdorim pozite

Gjykata Themelore në Prizren, ka shpall fajtor të akuzuarin Avdullah Gashi për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Drejtësia Sot, raporton se ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, dënim ky i cili i’u zëvendësua me pëlqimin e të akuzuarit në dënime me gjobë prej 2.000 euro, i cili është i obliguar ta paguaj në katër këste mujore.

Gjithashtu, i akuzuari Gashi obligohet që të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 200 euro dhe 50 euro tjera në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, brenda afatit prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Në fund të shpalljes, gjyqtarja Raima Elezi, njoftoi palët e pa kënaqura që në afat prej 15 dite mund të ushtrojnë ankesë ndaj aktgjykimit në fjalë.

Vlen të përmendet se në fund të shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues shkurtimisht arsyetoi faktet dhe provat që kanë ndikuar në fajësinë dhe dënimin e të akuzuarit Avdullah Gashi.

Prokuroria Themelore në Prizren, me aktakuzën e datës 22.08.2019, po akuzon Gashin se me datë 03.10.2017 në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar-Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj. Inspektori Gashi me këtë rast i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës dhe Udhëzimin administrativ për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të ujë-rrjedhave dhe akumulacioneve.

Tutje, aktakuza përcakton që këto veprime janë kryer ashtu që i pandehuri Avdulla Gashi, ditën kritike derisa po inspektonte objektin në ndërtim nga investitori H.K., pa fakte konstaton në procesverbalin për inspektimin e kryer se investitori ka respektuar pikat e kadastrit. Në këtë mënyrë, ai i ka mundësuar investitorit të bëjë ndërtimin e objektit në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke i mundësuar H.K., të uzurpojë një sipërfaqe prej rreth 155 metrash katror të pasurisë shoqërore- publike, në të cilën e ka ndërtuar një pjesë të objektit.

Drejtësia Sot

Asnjë koment

Comments are closed.