20-04-2024

Gjykata kthen në punë mjekun nga Malisheva, konkursin e të cilit e kishte anuluar komuna

Arben Kryeziu në vitin 2017 ishte punësuar si mjek në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, por pas raportimit të një qytetari në KALLXO.com, për parregullsi në procesin e përzgjedhjes, e kishte detyruar kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begajn ta anulojë konkursin.

Anulimi i konkursit ndodhi në janar të vitit 2017, kur një qytetar raportoi në KALLXO.com për dyshimet për konflikt interesi meqë vëllai i Arben Kryeziut ishte ushtrues detyre i drejtorit të qendrës.

Lidhur me këtë konkurs sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit  ka pasur konflikt interesi.

Një vit pas kësaj ngjarje, Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti i ka dhënë të drejtën Kryeziut që të kthehet në vendin e punës.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, mjeku i përgjithshëm Arben Kryeziu.

“Unë jam larguar nga puna para një viti e gjysmë dhe tash Gjykata e Apelit më ka kthyer në punë në korrik të këtij viti, pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit. Tash punoj në terren në kuadër të QKMF-së”, tha ai.

Arben Kryeziu thotë se pas hetimeve që janë zhvilluar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, lidhur me rastin e tij është konstatuar se nuk ka konflikt interesi.

“Nuk ka pasur konflikt interesi dhe asgjë. Mendimi i AKK-së është dhënë para nisjes së procesit gjyqësor dhe më pas Gjykata e Apelit ka marrë vendim që unë të kthehem në punë”, tha ai.

Ai shtoi se se tash është në pritje të kompensimit të pagave për kohën sa nuk ka qenë në vendin e punës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj për KALLXO.com tha se marrja në punë e mjekut në fjalë është bërë me shkelje të procedurave.

“Atë nuk e ka larguar askush nga puna, por marrja e tij në punë është bërë nga vëllai i tij me shkelje të procedurave”, tha Begaj.

Sipas kryetarit, Agjencia Kundër Korrupsionit ka konstatuar se ka pasur konflikt interesi në hapjen e konkursit në fjalë.

“Edhe Agjencioni Anti Korrupsion e ka dërguar vlerësimin se ka pas konflikt interesi. Atij i është lëshuar kontrata ditën e vlerësimit të kandidatëve dhe atë ditën e pushimit, jo ditë pune”, shtoi Begaj.

Anulimi i konkursit ndodhi në janar të vitit 2017, kur një qytetar raportoi në KALLXO.com për dyshimet për konflikt interesi meqë vëllai i Arben Kryeziut ishte ushtrues detyre i drejtorit të qendrës.

Se rasti në fjalë ka pasur konflikt interesi e ka konfirmuar edhe Agjencia Kundër Korrupsionit.

Afrim Atashi, drejtor i Departamentit të Parandalimit të Korrupsionit në AKK, ka thënë për KALLXO.com se në mars të vitit 2017 kanë konstatuar se rasti në fjalë ka pasur konflikt interesi.

“Ju njoftojmë se ne me datë 20.03.17 kemi dhënë një përgjigje për këtë rast ku kemi gjetur qe ka pasur konflikt interesi,  dhe gjatë procedurës se shqyrtimit te rastit kemi gjetur  se konkursi  është anuluar. Sa i përket procedurave tjera që kanë rrjedh me të cilën çështja ka kaluar në gjykatë ne nuk kemi informata tjera se si ka rrjedhur procedura”, thuhet në përgjigjen e Atashit.

Asnjë koment

Comments are closed.