25-11-2024

Gjykata merr vendim të bëhet ekzaminim mjekësor ndaj Ragip Begajt

Gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani, ka marrë vendim që të bëhet ekzaminimi mjekësor i kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, për të parë nëse i njëjti është në gjendje ta përcjellë gjykimin për rastin ku ai akuzohet për korrupsion, apo jo.

Një vendim i tillë u mor pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Emrush Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin fillestar që ishte paraparë të mbahej të martën, avokati Kastrati kërkoi nga gjykata që për të mbrojturin e tij të bëhet një ekzaminim mjekësor, pasi sipas tij, i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

“Ne mendojmë dhe i propozojmë gjykatës që të caktojë ekspert mjekësor të lamisë përkatëse, të cilët do të deklaroheshin mbi rrethana e mundësisë se a është i aftë i akuzuari Begaj që ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor”, ka thënë avokati Kastrati, pas së cilit deklarim gjykatës ia ka dorëzuar dokumentacion mjekësor.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi prokurori Naim Abazi. Ai kërkoi nga gjykata, që në pajtim me nenin 310 të Kodit të Procedurës Penale, ta vërtetoj gjendjen e tani të akuzuarit dhe faktin nëse rrethanat e pretenduara nga mbrojtja janë paraqitur që pas kryerjes së veprës penale.

Pas kësaj, gjykatësja Namani me aktvendim e ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, me arsyetimin se është i bazuar dhe gjen mbështetje në provat e dorëzuara.

Gjykatësja Namani deklaroi se gjykata do të urdhëroj ekzaminim mjekësor për të akuzuarin Begaj, për ta vërtetuar faktin nëse i njëjti është në gjendje për ndjekur gjykimin apo jo.

Lidhur me këtë rast, seanca e shqyrtimit fillestar është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndryshe, kjo seancë nuk është lejuar të xhirohet nga gjykatësja Namani, për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po akuzohet se me 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po dyshohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po dyshohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.