Gjykata nuk pezullon pensionet e 19 mijë veteranëve të luftës
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.
Prokuroria Speciale, kishte kërkuar që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë.
Në arsyetimin e këtij aktvendimi, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ndër të tjerash thuhet se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.
“Në rastin konkret, kur kemi parasysh se kërkesa për caktimin e masës së sigurimit, të kërkesëpadisë, e cila është e karakterit urdhërues dhe qëllimi i saj është që të ruhet një gjendje ekzistuese, përkatësisht të mos dëmtohet edhe më tepër buxheti shtetëror i Republikës së Kosovës, nuk është drejtuar ndaj të pandehurve por ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Departamenti për Familje të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Sociale, e cila e ka cilësinë e personit të tretë, gjykata ka ardhur në përfundim se nuk plotësohen kushtet ligjore për caktimin e masës së propozuar”, thuhet në aktvendimin të cilin e ka marr kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, që mban datën 26 mars 2019.
Në aktvendim thuhet se organi i akuzës nuk ka arritur të bëjë të besueshme ekzistimin e kërkesës dhe të argumentojë faktin se ekziston rreziku se pa caktimin e masës së propozuar do të ndryshonte gjendja ekzistuese.
Ndryshe, gjatë seancës së 14 marsit 2019, prokurori Enver Krasniqi, kishte paraqitur edhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme, duke i propozuar gjykatës që ajo të kërkojë nga Ministria e Punëve dhe Mirëqenies Sociale, të pezullojë dhënien e pensioneve për 19.500 personave, që pretendohet se pa të drejtë gëzojnë statusin e veteranit të UÇK-së.
Sipas prokurorit Krasniqi, me veprimet e të akuzuarve, buxhet i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro, e sipas tij, ky dëm vetëm nga fillimi i vitit 2015 e deri në fillim të muajit gusht dhe sipas kërkesës së prokurorisë, ky dëm vazhdon çdo ditë të rritet.
“Në rastin konkret si rezultat i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet, prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, Prokurori i Shtetit, ka autorizime ligjore dhe ekziston bazueshmeria ligjore për caktimin e masës së përkohshme”, kishte thënë prokurori Krasniqi.
Prokurori i PSRK-së, në fund të elaborimit të kërkesës për masë të përkohshme, i kishte propozuar gjykatës që të aprovohet kjo kërkesë dhe të lëshohet kjo masë e përkohshme deri në përfundim të procedurës penale.
Propozimin e PSRK-së, për caktimin e masës së përkohshme e kishin kundërshtuar mbrojtësit dhe të akuzuarit.
Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, avokati Ramë Gashi, e kishte cilësuar kërkesën e prokurorisë si të pabazuar dhe të paqëndrueshme juridikisht.
Sipas tij, gjykata nuk ka asnjë dokument me të cilën evidentohet se 19.500 personat për të cilët është kërkuar pezullimi i pensioneve të tyre si veteranë luftëtarë, që me veprimet e tyre të kenë kryer ndonjë vepër penale.
Ndryshe, ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë, ishin deklaruar të pafajshëm se në cilësinë e anëtarëve të komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve dhe invalidëve të UÇK-së, e kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare./BetimipërDrejtësi