19-04-2024

Gjykata Speciale fton kryetarin e Rahovecit

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, është ftuar nga Gjykata Speciale.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Latifi, nëpërmjet llogarisë në Facebook.

“Sot kam pranuar një ftesë për t’u paraqitur në Zyrën e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë.

Kam qenë i vetëdijshëm se rrugë tjetër për çlirimin e popullit shqiptar përveç luftës së armatosur nuk ka. Zaten, kjo është mënyra e vetme për të hequr robërinë popujt e pushtuar. I bindur në këtë pikëpamje, gjithnjë jam munduar që të bëj më të mirën për vendin tim, pa i cenuar vlerat morale të kombit shqiptar, të dëshmuara në luftë dhe në paqe. Jam thellësisht i bindur se asnjë forcë në botë nuk do të arrijë të përbalt luftën tonë të drejtë çlirimtare, sepse mbi çdo skenar dashakeqës qëndron parimi i popujve për liri dhe të drejta kombëtare. Prandaj, luftërat çlirimtare nuk mund të gjykohen, sepse përmbajnë në vete parimin e shëndoshë të humanizmit dhe të drejtësisë. Parime këto të përqafuara dhe të përfaqësuara nga kombet e civilizuara e të përparuara të botës Perëndimore”- ka shkruar Latifi.

Latifi theksoi se beson në drejtësi dhe se nuk do të hezitoj të vihet në mbrotje të lirisë.

“Besoj në drejtësinë dhe asnjëherë nuk do të hezitoj të vihem në mbrojtje të të drejtës për liri e dinjitet njerëzor e kombëtar dhe jam gati të përballem me çfarëdo sfide. Mbetem i përkushtuar në sendërtimin e idealeve të kombit shqiptar dhe nga kjo rrugë nuk ka forcë që të më shkëpusë”

Asnjë koment

Comments are closed.