04-05-2024

Gjykata thotë se nëse Salih Mustafa shpallet fajtor, viktimat nuk do të referohen në gjykatat e Kosovës për zhdëmtim

Trupi gjykues, i kryesuar nga Mappie Veldt-Foglia, ka marrë vendim në të cilin thuhet se nëse Salih Mustafa shpallet fajtor, viktimat nuk do të referohen në gjykatat e Kosovës për zhdëmtim. Gjithashtu, trupi gjykues i ka drejtuar pyetje Ministrisë së Drejtësisë lidhur me kompensimin e viktimave.

Gjykata ka ardhur në përfundim se gjykatat vendore nuk japin një qasje realiste lidhur me viktimat e krimeve për të cilat ngrihen akuzat në këtë çështje gjyqësore, sa i takon pretendimeve për zhdëmtim.

Këtë vendim e ka marrë më 4 shkurt 2022, pasi mori tre raportet e ekspertëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Si rrjedhojë Trupi Gjykues vendosi se në rast se ka shpallje fajësie në çështjen Mustafa, nuk do t’i referojë viktimat për kontestim juridik në gjykatat vendore në Kosovë sipas nenit 22(9) të Ligjit dhe rregullës 167 të Rregullores, por do të lëshojë Urdhër për Zhdëmtim në bazë të neneve 22 (8) dhe 44 (6) të Ligjit”, thuhet në njoftim të gjykatës.

Po ashtu është bërë e ditur se është kërkuar nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës, që brenda datës 16 mars 2022, t’i paraqesë trupit gjykues përgjigjet lidhur me disa pyetje për këtë çështje gjyqësore.

Pyetjet të cilat i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë janë të përfshira në vendimin e gjykatës të publikuara në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Nëse në rast të dënimit të të akuzuarit dhe lëshimit të një urdhri për dëmshpërblim nga Paneli, nëse i Akuzuari nuk është në gjendje të paguajë ndonjë dëmshpërblim të urdhëruar nga gjykata, viktimat e krimeve nën juridiksionin e Gjykatës Speciale mund të përfitojnë nga kthimi nga Fondi për Kompensimin e Viktimave të përmendur në nenet 19(1), neni 1.26 dhe 62(1), neni 1.5, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, ose nga ndonjë program tjetër përkatës i kompensimit, duke përfshirë atë të përcaktuar me Ligjin Nr. 05/L -036 për kompensimin e viktimave të krimit”, është pyetja e parë.

Tutje, pyetja e dytë është nëse viktimat e krimeve nën juridiksionin e Gjykatës Speciale mund të përfitojnë nga kthimi nga Fondi i lartpërmendur i Kompensimit të Viktimave ose nga ndonjë program tjetër përkatës i kompensimit, ndërkohë që mbeten anonime pas lëshimit të një urdhri dëmshpërblimi nga Paneli

“Nëse, në rast se viktimat e krimeve nën juridiksionin e Gjykatës Speciale nuk mund të përfitojnë nga nga ndonjë program kompensimi ekzistues, mund të krijohet një fond për këtë qëllim, i financuar nga buxheti i Kosovës ose ndryshe, për të cilin Regjistruesi mund të aplikojë për kompensim në emër të viktimave, për të ruajtur anonimitetin e tyre. Në këtë kontekst, Paneli posaçërisht thekson se financimi i mbrojtjes së personave të akuzuar para Gjykatës Speciale nga buxheti i Kosovës është bërë i mundur me Ligjin për Dhomat e Specializuara”, është pyetja e fundit.

Ndryshe, mbrojtësja e viktimave, Anni Pues në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës ka kërkuar që trupi gjykues në këtë rast të vendos për dëmshpërblimin e viktimave e jo gjykatat e Kosovës.

Në raporte të ekspertëve përmendeshin kohëzgjatja e procedurave në rastet civile në Kosovë, ndërhyrjet politike, korrupsionin, e të tjera.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.