23-11-2024

Gjykimi ndaj drejtorëve të komunës së Prizrenit: Prokuroria pretendon fajësinë, të akuzuarit kërkojnë hudhjen e aktakuzës

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi, drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe drejtori për Kadastër dhe Gjeodezi, Refki Shaqiri, në shqyrtimin e dytë të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, kanë kërkuar hudhjen e aktakuzës.

Një gjë të tillë ka kërkuar edhe asamblistja në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, që ka qenë anëtar i komisionit nga shoqëria civile.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë në shfrytëzim pronën komunale, që ndodhet në sheshin “Shatërvan”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtës i të akuzuarit Levent Kasemi, avokati Blerim Mazreku deklaroi se gjykatës ia ka parashtruar kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyen se aktakuza nuk provon që i mbrojturi  tij dhe të akuzuarit e tjerë kanë bërë favorizime në dhënien në shfrytëzim të pronës komunale, duke shtuar se as nuk ka prova nëse është bërë ndonjë gabim, është bërë me dashje apo me qëllim të përfitimit.

Të gjithë mbrojtësit e tjerë deklaruan se qëndrojnë pranë kërkesave të tyre për hudhje të aktakuzës, të parashtruara gjykatës.

Lidhur me këtë, të gjithë të akuzuarit deklaruan se i mbështesin në tërësi pretendimet e mbrojtësve të tyre.

Mirëpo, sipas prokurorit Metush Biraj kërkesat e të lartpërmendurve për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nuk qëndrojnë.

Sipas prokurorit Biraj, provat janë mbledhur në mënyrë të ligjshme dhe nga këto prova ka rezultuar dyshimi i bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që është objekt i aktakuzës.

I njëjti i propozoi gjykatës që të vazhdohet me procedurë të mëtutjeshme, me caktimin e shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani i njoftoi palët se vendimin në lidhje me aprovimin apo refuzimin e kërkesave për hudhjen e aktakuzës do ua dërgojë me shkrim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur më 29 nëntor 2019, të akuzuarit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Shporta dhe Babuna, ngarkohen se më 18 mars 2019, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi, kishte kuotuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25.20 euro për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokali i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim pre 20.06 euro për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha, nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019, ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, përkundër faktit të tillë, Komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019, ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.