24-04-2024

Qyteti me traditë dhe me lumë, por pa stadium!

Prizreni dikur isht qendra e vilajeteve të Kosovës. Madje në vitin 1878 në xhaminë “Bajraklie” të këtij qyteti u organizua njëra ndër lidhjet më të madhe të popullit shqiptar ndër shekuj, ajo që siç njihet edhe në ditët e sotme “Lidhja e Prizrenit”.

Shkruan: Drilon SYLEJMANI

Ky qytet ndodhet në trekëndëshin kombëtar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe për nga numri i popullsisë është rajoni i dytë më i madh në tokën “dardane”.

Qyteti ka një popullsi prej rreth 170,000 banorësh, shumica shqiptarë. Komuna mendohet të ketë rreth 221,000 banorë, përfshi këtu vetë qytetin dhe 76 fshatrat që e përbëjnë atë.

Në këtë qytet shumë të lashtë turistët mund të vizitojnë “Kalanë e Prizrenit”, “Hamamin e Vjetër” apo edhe “Urën e Gurit”, e cila është atraksion për shumë vizitorë.

Por, si për ironi të fatit, në këtë qytet me shumë trashëgime kulturore nuk mund të gjeni edhe ato sportive. Stadiumi kryesor “Përparim Thaçi”, aty ku ndeshjet i zhvillon klubi ikonik i këtij qyteti, Liria, tashmë ka mbetur mes të vjetrës dhe të resë, pasi që rinovimi nuk ka përfunduar edhe pse ka nisur prej vitesh dhe premtimet nuk janë ndalur asnjëherë.

Stadiumi “Përparim Thaçi” në Prizren, disa vite më parë

Pikërisht, për këtë qytet kishte premtime të mëdha për ndërtimin e një stadiumi nacional me 20,000 ulëse, meqenëse Prizreni llogaritet si epiqendra e gjithë shqiptarëve.

Esat Mehmeti, ish-portier i gjeneratës së artë të Lirisë në fund të viteve të 70-ta, ka reaguar me shkas në lidhje me ndërtimin e një stadiumi nacional për prizrenasit. Madje, ai  kujtuar ndër vite edhe premtimet e mëdha të institucioneve qeveritare.

“Të gjithë qeveritë e Kosovës gjerë më tani, nuk e morën asnjëherë në konsideratë idenë dhe premtimin e presidentit historik Ibrahim Rugova, për ndërtimin e një stadiumi nacional në Prizren me 20,000 ulëse. Prizreni është një qytet historik, me kulturë dhe traditë shekullore ndër vitesh. Me shumë monumente historike e ndodhi kombëtare. Për më tepër është qyteti i dytë më i populluar në Kosovë, ndërkohë i pari për nga vizitat. Është e e padrejtë të lihet ky qytet pa një stadium futbolli, ashtu siç edhe e meriton. Premtimet e institucioneve shtetërore kanë mbetur vetëm në letër, ndërkohë prizrenasit ende po e presin ditën se kur do të realizohen ato”, ka thënë Mehmeti.

Pas Mehmetit kanë reaguar edhe shumë figura të tjera të rëndësishme të futbollit prizrenas dhe atij kosovar, derisa kanë kërkuar që të kthehet vëmendja nga kjo trevë.

Ish-futbollistë, ish-drejtues klubi, anëtarë dhe simpatizantë prizrenas kanë kërkuar që “ëndrra” e tyre prej shumë dekadash të bëhet realitet.

Stadiumi i Ipko Superligës fillon të mbulohet (FOTO) | Gazeta Sheshi

“Si duket Prizreni ka mbetur vrima e fundit në kavall. Po dhashtë Zoti që edhe për ne të ketë dritë në orient”, ka shkruar Mirsad Çollaku, ish-kryetar i Klubit Futbollistik “Liria”, ndërsa tashmë anëtarë në Komitetin Ekzekutiv në Federatën e Futbollin të Kosovës.

“Vazhdojmë t’u besojmë premtimeve dhe ëndrrave. Ndoshta dikur do të bëhen realitet”, ka shkruar Erxhan Dana, aktualisht drejtues në Klubin Futbollistik “Liria”.

Një publikim tjetet interesant e ka bërë edhe sekretari i FC Lirisë, Bashkim Kajdomçaj, i cili ka numëruar arsyet se përse qyteti i Prizrenit duhet të ketë një stadium nacionale.

“ideja për ndërtimin e stadiumit pse jo dhe nacional, deri më tash të paktën, ka mbetur utopi. Madje, përtej ides së ndërtimit të tij, në aspektin sportiv, do të duhej të shtoheshin dhe faktorë tjerë strategjikë-nacional, si ajo që Prizreni është rajoni më i madhë në Kosovë pas Prishtinës si dhe që është në trekëndëshin kombëtar ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndoshta, një ditë kjo do t’i shërbejë si argument elitës politike qeveritare.Noli i madhë, ka thënë: ‘Qeveritë shkojnë e vijnë, vetëm populli mbetet’. Në këtë rast, ne duhet të themi: ‘Qeveritë shkojnë e vijnë me premtime boshe…të paktën deri sot, e populli-komuniteti sportiv, shpreson’”, ka potencuar Kajdomçaj.

Kujtojmë që Klubi Futbollistik “Liria” është njëri ndër klubet më të vjetra në futbollin kosovar, madje shquhet për numrin e madh të tifozëve ndër vite. /Gazeta Sheshi

Asnjë koment

Comments are closed.