26-11-2024

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës e tjerëve, ja deklarata e ekspertës për çmimin e tokës

Ekspertja për vlerësimin e pronave Hyrmete Gashi, deklaroi se vlerësimin e bëjnë për metër katror dhe në rastin konkret sipas saj metri katror kushton 7 euro e gjysmë, e që për një ari sipas saj i bie çmimi 750 euro në atë zonë.

Në seancën e së martës, prokurori special Naim Abazi e pyeti eksperten se sa hektarë ishin pjesë të vlerësimit për shpronësim, kurse ajo tha se ishin diku 87 hektarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, duke u përgjigjur në pyetjet e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismaili, ekspertja tha se në bazë të asaj çka ajo ka parë në terren, rezulton se zona ekonomike nuk është krijuar sipas saj.

Ekspertja Gashi tha se janë përdorur disa metoda për vlerësimin e pronave.

“Janë marrë metodat krahasuese për vlerësimin e pronave si metoda më e përdorur, bëhet analiza e çmimeve në zonën-tokat përafërsisht të ngjashme me pronën që është objekt shpronësimi për rreth tri vitet paraprake para ndodhjes se shpronësimit”, tha Gashi.

Paraprakisht, në seancën e së martës, e dha dëshminë dëshmitarja Hajrie Hoxha, e cila  sqaroi se nuk i njeh të akuzuarit dhe se e vetmja lidhje e saj me rastin qëndron për faktin se përreth zonës për të cilën ekziston çështja penalo-juridike ka prona edhe burri i saj.

Dëshmitarja Hoxha tha se nuk e di sipërfaqen e saktë të pronës që kanë në atë zonë dhe shtoi se askush nuk ka pyetur për ato zona që burri i saj i ka përreth.

Seanca e caktuar për 12 tetor për këtë çështje penale u anulua, sipas njoftimit të gjykatësit Ismaili sepse për i njëjti ka njoftuar se ka një obligim të rëndësishëm në gjykatë.

Andaj, seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 13 tetor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtarë”.

Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Sipas aktakuzës, Begaj akuzohet se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëkryerje me ministrin e atëhershëm të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe zëvendësministrin e kësaj ministrie, Faton Thaqi duke shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë mundësuar shpronësimin në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik, duke e shpallur zonë me interes të veçantë.

Sipas aktit akuzues, Bashkim Krasniqi në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër, Malë Krasniqi në cilësinë e shefit të shërbimeve të Gjeodezisë, Hajdin Berisha në cilësinë e nënkryetarit të komunës dhe Faton Thaqi në cilësinë e zëvendësministrit, akuzohen se në bashkëkryerje nga periudha kohore 22 maj 2018 deri më 5 qershor 2018, varësisht nga pozitat, kanë shfrytëzuar autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat e tyre kanë mundësuar shpalljen e zonës me interes të veçantë ekonomik me qëllim të themelimit të Zonës Ekonomike në Komunën e Malishevës, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në mënyrë që të vazhdohej me procedurat e shpronësimit.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Malë Krsaniqi, pasi e kishte ditur për krijimin e Zonës Ekonomike, kishte blerë pronë në zonat kadastrale Banjë dhe Lladrovc me çmim prej 25 euro për ari, duke qenë në dijeni se këto prona do të shpronësohen nga Qeveria e Kosovës, e ku çmimi do të ishte shumë më i lartë.

Sipas aktakuzës i akuzuari Nazmi Kafexholli, akuzohet se në cilësinë e inspektorit në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, duke qenë në dijeni për krijimin e Zonës Ekonomike, dhe me qëllim që t’i rrit vlerën tokës, kishte marrë me qera pronën e të ndjerit M.H. ku kishte ngritur pemishte për çka kishte përfituar edhe grante nga Ministria e Bujqësisë.

Tutje, sipas aktit akuzues, Ahmet Rrahmanaj nga viti 2007 deri më 2013 në vazhdimësi duke e ditur se parcelat e tokës në pronësi shoqërore janë blerë dhe krijuar me aktivitete kriminale, ka transferuar dhe njëkohësisht ka tentuar të transferojë pronat me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe shmangies nga pasojat juridike.

Në aktin akuzues thuhet se Rrahmanaj, ka privatizuar pronat e “Newco Mirusha” tokë bujqësore në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik në Komunën e Malishevës me çmim artificialisht të ulët 1,222,333.00 euro sipërfaqe prej 1,157 hektarë e 51 ari për 99 vite, për këtë i akuzuari më 11 korrik 2013 ka bërë bartjen e tokës në emër të personit tani të ndjerë M.H. si përfitues i tokës në sipërfaqe prej 203 hektar e 11 ari, ku për këtë transaksion, të akuzuarit i ishin transferuar 200 mijë euro në llogari bankare, mirëpo të njëjtat ia kishte kthyer të ndjerit M.H. dhe gjithë kjo ishte bërë me qëllim të kinse shitblerjes që kishte ndodhur në vitin 2007. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.