03-05-2024

Zhvillimet e fundit nga “Rasti Brezovica”/ Prokurori Maloku: Deri tani kemi sekuestruar 30 vila, 50 tjera janë në proces

Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Ferizaj u ka vendosur shiritat 30 vilave të ndërtuara në Brezovicë ndërsa në proces të sekuestrimit janë edhe 50 të tjera. Vilat luksoze të sekuestruara janë të biznesmenëve dhe politikanëve të ndryshëm. Ato do të jenë të paprekura të paktën deri në sqarimin dhe hetimin e gjithë “Rastit Brezovica”.

Prokurori i rastit, Rasim Maloku është në vendin e ngjarjes që nga mëngjesi ku po behët sekuestrimi i të gjitha objekteve në zonën e dytë të parkut kombëtarë ‘Sharri’.

“Sot është vazhdimësi e hetimit të rastit ‘Brezovica’, jemi duke e marrë një veprim procedural, sekuestrimin e të gjitha vikend-shtëpizave që ndodhen në zonën e dytë të parkut kombëtar Sharri”, ka thënë prokurori Maloku për IndeksOnline.

Ai ka theksuar se deri më tani janë sekuestruar 30 vikend-shtëpiza, ndërsa aksioni pritet të vazhdojë akoma edhe përkundër motit të ligë.

“Deri më tani janë sekuestruar mbi 30 objekte, mirëpo aksioni është duke vazhduar edhe për kundër kushteve atmosferike që është koha më shi. Ne po vazhdojmë aksionin, po besojmë që deri në fund të sekuestrohen të gjitha vikend-shtëpizat që ndodhen në këtë zonë, e që përafërsisht mund të jenë rreth 80 vikend-shtëpiza”, deklaroi ai.

Prokurori i rastit ka thënë se identifikimi i personave pritet të behët ndërkohë, por më kryesore janë objektet pasi me emra ka mundësi manipulimi.

“Tani për tani ne kemi të bëjmë me objektet, të i identifikojmë dhe të bëjmë sekuestrimin e tyre, të vendosen shenjat dhe ato paralajmërimet që mos të hyhet në objekt. Kurse për emra i identifikojmë por kemi shpesh mospajtime mes asaj pjese që është tekstuale, juridike dhe pjesës faktike që mund të këtë ndokush posedim, mirëpo është mirë mos të vijë deri të ndonjë keqkuptim dhe tash për tash nuk mund të manipulojmë me emrat meqë mund të dali ndonjë situatë e palakmueshme ose dikush të etiketohet pa arsye. Vetëm në disa raste kemi situata kur kemi pronar juridik në bazë të posedimit është person tjetër ndërsa pronar faktik person tjetër”, ka deklaruar Maloku.

Prokurori nuk e ka shmangur mundësinë se këto vila janë të biznesmenëve e politikanëve kosovarë.

“Mund të jenë, të gjithë janë qytetarë të Republikës se Kosovës, mund të jenë edhe biznesmen, ndoshta edhe politikanë edhe zyrtarë të tjerë. Mirëpo tani për tani për ne nuk është më rendësi fare se kush janë dhe çfarë pozite kanë”, tha ai./IndeksOnline/

Asnjë koment

Comments are closed.