24-11-2024

Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Suharekës dhe të tjerëve, dëshmitari thotë se ishin lëshuar raporte për kompaninë që s’kishte transportuar nxënës

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në seancën e së enjtes, kanë dhënë dëshminë e tyre Refki dhe Avni Bytyçi, në rastin ku i akuzuar për keqpërdorim detyre, është ish-kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj.

Refki Bytyqi, ka dëshmuar në cilësinë e menaxherit të kompanisë “Shqiproni Tours”, kurse Avni Bytyçi, dëshminë e tij e ka dhënë në cilësinë e zyrtarit ligjor në këtë Komunës e Suharekës.

Krahas Asllanajt, për këtë rast, për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohen edhe ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Asllanaj akuzohet se sa ka qenë në pozitën e kryetarit të Suharekës, pa procedurë të tenderimit, ka nënshkruar marrëveshje të mirëkuptimit dhe bashkëfinancimit ndërmjet Komunës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Dëshmitari Refki Bytyqi, sipas shkresave të lëndës, me kompaninë  “Shqiproni Tours”, e ka bërë bartjen e nxënësve në relacionin Breshanc – Shkollë dhe anasjelltas.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Ervehe Gashi, se a ka pasur kontratë me Komunën e Suharekës, për bartjen e nxënësve, ai ka thënë se nuk ka pasur, pasi që sipas tij, e ka humbur tenderin, dhe atë siç tha ai, në mënyrë të padrejtë.

“Ishte tender i hapur, konkurruam katër operator ekonomik, tre dolën fitues, ndërsa unë humba. U ankuam në OSHP kundër ‘Saba Tursit’ dhe ‘Diti Soni’, dhe aty unë e fitova lëndën, mirëpo tre operator fitues paraprak që ishin, të tre u shpallën të papërgjegjshëm, në mungesë të dy operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm, lënda shkoi në ri tenderim, kurse herën e dytë e fitova tenderin”, ka thënë dëshmitari Bytyçi.

Më pas, në pyetjen e prokurores Gashi, se nga shtatori deri në fillim të dhjetorit 2014, a janë pajisur me ndonjë dokument që sipas prokurores, e vërteton se firma “Shqiproni Tours” e ka bërë transportin e nxënësve, dëshmitari tha se këto raporte i janë dhënë një kompanie tjetër.

“Pas insistimin tim që e kam bërë tek drejtori i shkollës Milazim Hajdari, ai më tha që po të tregoj drejt se këto raporte ia kam dhënë Saba Tursit, në pyetjen time a kemi punuar ne apo ata, ai më tha që ju keni punuar por raportet për dy muaj, ia kam dhënë Saba Tursit. Me insistimin tim ai më tha se ka pasur trysni prej Hasan Gashit, zyrtar në DKA, që t’ia jap Tursit”, ka thënë dëshmitari Bytyçi.

Duke treguar më pas, se si është pajisur me këto raporte, dëshmitari Bytyçi, tha se ka shkuar të drejtori Sherif Berisha, në zyrën e tij, e më pas ai e ka thirrur Milazim Hajdarin, dhe siç tha ai, i ka thënë që t’i jepen këto raporte.

Sipas këtij dëshmitari, në raportin e muajit nëntor, shënonte se operatori ekonomik “Shqiproni Tours”, punën e ka kryer si nënkontraktor i “Saba Tursit”, gjë që sipas tij, asnjëherë nuk kanë qenë nënkontraktor i asaj kompanie.

Në pyetjen e prokurores Gashi, se këto raporte për çka u kanë shërbyer, ai tha se më anë të tyre, e kanë bërë nxjerrjen e mjeteve materiale të punës, për të cilat siç tha ai, nuk i kanë realizuar dhe për mos realizimin e tyre, ai ka bërë padi.

Në fund, dëshmitari Bytyçi, ka thënë se i është mohuar e drejta e tij në ligjin e prokurimit publik në Komunën e Suharekës, gjegjësisht nga DKA-ja në këtë komunë.

Pas këtij dëshmitari, është dëgjuar edhe Avni Bytyçi, i cili ka dëshmuar në cilësinë e zyrtarit ligjor, si shef i shërbimit të kuvendit të Suharekës dhe zyrtar ligjor në këtë komunë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Gashi, lidhur me marrëveshjen e lidhur në mes të Komunës së Suharekës dhe OJQ “Kosova Hope”, me kërkesën e kujt është përpiluar, ai ka thënë se këtë marrëveshje e ka përpiluar ai, mirëpo sipas tij, atë e ka bërë me urdhër të eprorit të tij, kryetarit.

Në pyetjen e prokurores së këtij rasti, se kjo procedurë a ka shkuar përmes tenderimit, ai tha se kjo nuk është çështje e tij, dhe se nuk ka njohuri.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Asllanaj, avokatit Sehad Haliti, se a ka qenë dëshmitari Bytyçi, prezent kur është nënshkruar kjo marrëveshje, ai tha se nuk ka prezantuar në atë moment.

Më pas, i akuzuari Asllanaj, e ka pyetur dëshmitarin, se a ka qenë çdo herë praktikë e kryetarit që të konsultohet me juristin, pra me dëshmitarin Bytyçi, para se të merrej ndonjë vendim, dëshmitari e ka pohuar një gjë të tillë.

Tutje, në pyetjen e të akuzuarit Asllanaj, se a është e vërtetë se marrëveshja me Berat Gegën, është nënshkruar në zyrën e tij, ai tha se së pari është nënshkruar nga kryetari e më pas, siç ka thënë ai, pala ka shkuar në zyrën e tij për ta nënshkruar.

Seancën e radhës, në të cilën pritet të dëgjohen ekspertët financiarë, gjykatësi Artan Sejrani, e ka caktuar më 23 prill 2019, prej orës 10.

Në seancën fillestare të mbajtur më 19 nëntorit të vitit të kaluar, të akuzuarit Asllanaj, Berisha e Hajdari, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën që u vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Sherif Berisha, akuzohet se prej 16 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, duke keqpërdorur detyrat e tij zyrtare, lejon që drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, Milazim Hajdari, të lëshojë raporte për bartjen e nxënësve në periudhën nga 16 shtator deri më 27 nëntor, operatorit ekonomik “Saba Tours”, gjoja se ky operator ka kryer shërbimin e transportit të nxënësve.

Në aktakuzë, thuhet se i njëjti në periudhën e njëjtë kohore, ka lëshuar edhe tri raporte operatorit “Shqiproni Tours”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën e 6572 euro, ngase kjo shumë i ishte paguar operatorit “Saba Group” për shërbimin që nuk e kishte kryer.

Po ashtu, sipas aktakuzës, Berisha, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 4000 euro, ngase si përgjegjës për menaxhimin e projektit, nuk i kishte kërkuar mjetet të cilat nuk ishin shpenzuar nga pjesa e investimeve të përgjithshme marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i akuzuari, Milazim Hajdari, në cilësi të drejtorit të shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës, akuzohet se i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe duke përpiluar raporte për bartjen e nxënësve operatorëve të ndryshëm, me anë të së cilës shkel ligjin mbi detyrat e tij.

Sipas organit të akuzës, dëmin që ia shkakton buxhetit të Republikës së Kosovës, kap vlerën e 6572 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.