18-05-2024

Haskuka bleu qumësht më shtrenjtë se Shpend Ahmeti në Prishtinë

Në sasi të vogël, Komuna e Prizrenit që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka po blen qumësht me çmim shumë të shtrenjtë. Jo për nxënësit, por për furnizimin e bufes me pije. Komuna e Prizrenit e realizoi një tender në fund të vitit të kaluar në vlerë prej 24.648,00 eurove. Në këtë kontratë që vlen deri në fund të këtij viti është paraparë edhe furnizim me qumësht në sasi prej 3000 litrave. Sipas kontratës së nënshkruar kjo sasi ka kushtuar 3300 euro, ose 1 litër  ka kushtuar 1 euro e 10 cent.

Lajmi.net ka shikuar në disa markete në Kosovë dhe askund nuk ka hasur në paketim qumështi që kushton 1 euro e 10 cent. Më i shtrenjti është qumështi slloven Alpsko, 0.98 cent.

Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka realizuar disa tender për furnizim me qumësht viteve të fundit, por qumështi është blerë më lirë se sa i Prizrenit, ndonëse në sasi më të madhe.

Në tenderin “Furnizim me qumësht për punëtorët e Komunës”, i cili është realizuar në vitin e kaluar, 1 litër qumësht ka kushtuar 0. 73 centë me TVSh. Në këtë tender Komuna ka blerë 129 mijë e 600 litër qumësht, në vlerë prej 94 mijë e 608 euro.

Po ashtu, komuna ka realizuar edhe tenderin “Furnizim me artikuj ushqimor për nevojat e Kuzhinës të Institucioneve Parashkollore në Prishtinë”. Në këtë tender janë paraparë 39 mijë e 600 litra qumësht me një çmim prej 33 mijë e 264 euro, ose 84 centë për një litër.

 

Asnjë koment

Comments are closed.